Fjalimi i Kryeparlamentarit në debatin për demarkacionin

Ky është fjalimi i plotë i Kryetarit të Kuvndit në debatin për demarkacionin.
Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës në debatin shkencor-profesional për shenjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi

Ky debat përbën një moment të veçantë politik për vendin tonë.

Që në fillim dua të shpreh besimin se mesazhi i përbashkët i këtij debati

është vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik, që problemet dhe mosmarrëveshjet t’i adresojmë përmes rrugëve demokratike

dhe t’i zgjidhim po me mjete demokratike.

Vetëm bashkëbisedimi dhe demokracia sjellin zgjidhje të qëndrueshme. Kuvendi është tempulli i demokracisë.

Është tradita jonë shekullore e kuvendeve që edhe në kohët më të rënda na ka mbajtur të bashkur përballë sfidave.

Të nderuar miq, kolegë

Tash e një kohë të gjatë jemi duke u përballur me një situatë aspak të lehtë për vendin dhe politikën tonë.

Dy marrëveshjet e arritura në Gushtin e vitit 2015, ajo për Asociacionin dhe tjetra për Demarkacionin, janë përcjellur me një mosmarrëveshje serioze brenda spektrit politik kosovar.

I dijmë pasojat, i dijmë humbjet, që i janë shkaktuar vendit nga defokusimi dhe largimi nga agjenda primare, të cilën e presin nga ne qytetarët- agjenda e zhvillimit ekonomik.

Por, pavarësisht asaj që kemi kaluar, tani, është koha të gjejmë zgjidhje.

Sëbashku, dhe me përkushtim institucional dhe atdhetar.

Ashtu siç kemi bërë gjithmonë edhe në kohëra dhe situta shumë më të vështira. Nga sot e tutje le të tregojmë të gjithë sëbashku se demokracia jonë funksionon.

Të tregojmë se ne besojmë në forcën e argumentit, e jo në argumentin e forcës.

Se ne i besojmë shtetit tonë, të cilin e kemi ngritur të gjithë sëbashku, me mund e sakrifica.

Është koha të gjejmë zgjidhje dhe të hapim shtigjet e ecjes përpara.

Lidership do të thotë hapje shtigjesh, e jo mbyllje të tyre.

Është koha të tregojmë se jemi shtet i përgjegjshëm.

Shtet i përgjegjshëm ndaj qytetarëve të tij.
Shtet i përgjegjshëm ndaj obligimeve ndërkombëtare.
Shtet i përgjegjshëm ndaj fqinjëve të tij, posaqerisht atyre që kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin tone.
Shtet i përgjegjshëm ndaj miqve dhe aleatëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ne si gjeneratë, nuk jemi të thirrur t’i ndreqim padrejtësitë e së kaluarës, por të garantojmë të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, të shpallur me 17 shkurt të vitit 2008.

Ne jemi shtet sovran. Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm.

Ne udhëhiqemi nga politika e fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër.

Pavarësia e Kosovës ka fuqizuar paqën, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë.

Të gjithë ne, pavarësisht dallimeve politike, qëndrojmë të bashkuar rreth këtyre parimeve.

Dilemat dhe kundërshtimet rreth shenjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara. Askush nuk e do stagnimin dhe bllokimin.

Vetë interesimi i gjithanshëm që ka ngjallur ky debat e dëshmon këtë.

Le të jetë pra ky një fillim ri.

Një fillim i përbashkët.

Një fillim që do të meritoj të shënohet në fletët ende të pashkruara të historisë sonë.

Temat
LajmeVend

Të afërta