Debati për Demarkacionin, Veseli e pyet Hasanin për validitetin e hartave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është përfshirë në debatin për demarkacionin. Ai i ka bërë një pyetje ekspertit Enver Hasani, në lidhje me hartat që janë përdorur në Marrëveshjen e Kumanovës.

Veseli e ka pyetur Hasanin, nëse ato harta të përdorura më 10 qershor të vitit 1999, janë valide për përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Në qoftë se do t’i përmbaheshim parimit që e the, në rastin tonë konkret kemi pas një marrëveshje më 10 qershor kur është çliruar Kosova. Sa valide ka qenë ato harta”, ka pyetur Veseli.

Ai po ashtu ka pyetur edhe për validitetin e hartave të delegacionit të Kosovës në bisedimet për Status në Vjenë, në bazë të të cilave është përcaktuar edhe kufiri i Kosovës në Pakon e Ahtisarit.

“Pika 8 përcakton kufirin, sa është obligative duke pasur parasysh që ne njëanshëm e kemi shpallë pavarësinë”, ka pyetur Veseli.

Hasani në anën tjetër është përgjigjur se sipas ligjit ndërkombëtarë, një hartë ka status legal si provë, kur është pjesë e një marrëveshje.

“Marrëveshja e Kumanovës është tekniko-ushtarake mes komandantëve, ajo e ka një hartë që nuk e kam pa kurrë në jetë, por e cila tregon për veprimin e këtij faktori ushtarak në momentin kur hynë në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se në kuptimin administrativo-politik, harta në Marrëveshjen e Kumanovës mund të interpretohet vetëm në aspektin civil.

“Pakoja e Ahtisarit është për neve e obligueshme, dhe harta në këtë rast topografike shërben si interpretim”, është përgjigjur Hasani.

Temat
LajmeVend

Të afërta