Thaçi: Çështja e demarkacionit nuk ekziston si problem

Sipas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, debati rreth kufijve të Republikës së Kosovës me Malin e Zi është një temë e nevojshme për rritje të transparencës para qytetarëve, debat ky që i është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës tash e një vit.

Andaj, Thaçi u ka bërë ftesë të gjithëve për debat dhe beson që ky debat të sjellë më tepër unitet politik dhe qytetar.

“Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston. Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës duhet të përmbush këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Po sipas presidentit Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi.

“Kjo ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi vitin e kaluar. Të gjitha referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj. Burimi i dokumentacionit është në vazhdimësi dhe zyrtar nga viti 1974, 1988, 2008 e deri më 2015”, ka shkruar më tej Thaçi.

Në fund ai ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së kufirit shtetëror mes dy vendeve tona është ne interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, të fqinjësisë së mirë, frymës euroatlantike, si dhe është jetik për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta