Policia e Kosovës, ende nuk e ka arrestuar personin që ka gjuajtur me pistoletë para dy netëve, i cili ishte shkaktari i gjithë asaj që ndodhi në festivalin e Beer Fest, që u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
U deshtë vetëm një gjuajtje me pistoletë, që të gjithë qytetarët të cilët ishin të pranishëm në festival të shpërndahen nga të gjitha anët, të cilët në tentim për t’u larguar kanë lënduar njëri-tjetrin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë se deri më tani nuk ka të arrestuar.
“Ende nuk kemi informacione nëse është arrestuar ndonjë person. Hetuesit i kanë kryer disa intervistomë të personave të caktuar, çoftë si dëshmitarë apo të tjerë”, tha Hoxha për Express.
Ai më tej tha se hetimet relevante janë duke u realizuar për të sqaruar rrethanat, për t’i identifikuar të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në këtë incident.
Ndërkohë dyshohet se pistoleta që është gjuajtur aty ka qenë më gaz.
Për këtë Hoxha tha, fillimisht është dyshuar që ka qenë pistoletë me gazë, por nuk është konfirmuar deri më tani.
Policia e Kosovës, rastin e të premtes mbrëma e kanë iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga paniku që ndodhi në “Beer Fest” janë lënduar 50 persona.