Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sot pritet të arrijë në Slloveni, në një periudhë të tensioneve ndërmjet Moskës dhe Bashkimit Evropian e NATO-s.
Sllovenia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka mbajtur raporte miqësore me Rusinë, megjithqë i është bashkuar BE-së në sanksionet kundër Rusisë, për shkak të mbështetjes së Rusisë për separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës dhe për aneksimin e Krimesë së Ukrainës.
Autoritetet e Sllovenisë këtë vizitë e kanë përshkruar si formale. Putini do të jetë pjesëmarrës i një përkujtimi për Luftën e Parë Botërore.
Por, diplomatë të BE-së i kanë thënë agjencisë Reuters se ata kanë shqetësime se Rusia po bënë lobim në vendet miqësore evropiane, përfshirë Slloveninë, për ta shkatërruar unitetin e BE-së për sanksionet kundër Moskës.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i tha agjencisë ruse të lajmeve, TASS, se vizita e Putinit ka për qëllim krijimin e besimit dhe dialogut.
“Kjo vizitë i bënë respekt miqësisë tradicionale të Sllovenisë dhe Rusisë, përkundër disa dallimeve në marrëdhëniet e dy vendeve lidhur me pozicionet e tyre për çështje të caktuara aktuale”, tha Borut Pahor.