Fitoi çmimin “Puskas”, braziliani i jep fund karrierës (Video)

Wendell Lira fitoi famë në muajin janar të këtij viti teksa fitoi çmimin “Puskas” për golin më të bukur të vitit 2015, duke mundur kandidaturat e Florenzit dhe Messit. E megjithatë, kjo duket se nuk i mjaftoi futbollistit brazilian, i cili në moshën 27-vjeçare vendosi të lërë përfundimisht futbollin, edhe pse ka shumë vite karrierë përpara.

Gjendja jo e mirë fizike duket se ishte një nga faktorët që shtynë Wendell Lirën që të marrë këtë vendim për të lënë futbollin e luajtur.

“Ka ende klube që më kërkojnë dhe kam marrë disa oferta, por vendimin e kam marrë dhe nuk ka kthim prapa. Në futbollin e luajtur kam pasur zhgënjime dhe kam dëgjuar shumë gënjeshtra. Largohem edhe për shkak të problemeve fizike që më kanë përndjekur me vite të tëra”, tha futbollisti, transmeton Top Channel.

Karriera e 27-vjeçarit do të vazhdojë në një tjetër drejtim, atë të lojërave elektronike: “Dua të bëhem kampion i botës në FIFA. Do të krijoj një kanal timin në Youtube ku do të tregoj mënyrën time të të luajturit, por pa më parë askush. Dua të transmetoj një imazh shumë të ngjashëm me atë që kam në realitet”.

Në fakt, Lira i tregoi aftësitë e tij në lojërat elektronike edhe gjatë ceremonisë së dorëzimit të Topit të Artë teksa mundi 6-1 Abdulaziz Alshehrin, kampionin e botës në sportin më popullor në botë në versionin e videogame.

Temat
BotëSport

Të afërta