Dyqane, apartamente, garazhe dhe sipërfaqe toke arë në emër të ish-deputetit Mark Frroku, janë vendosur nën masën e sekuestrimit nga ana e gjykatës, pas kërkesë së bërë nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Bëhet fjalë për 7 apartamente të shpërndara në Orikum të Vlorës, Shëngjin në Lezhë dhe në zonën e Kasharit në Tiranë. Në kryeqytet janë sekuestruar gjithashtu edhe dy dyqane në emër të ish-deputetit, ndërsa toka arë e sekuestruar ka një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë dhe ndodhet në Grykë Lumë në Lezhë.
Mark Frroku është në gjykim për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, “fshehjes së pasurisë…”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “ndërtimit të paligjshëm”.
Ai po gjykohet në Shqipëri për akuzat se, në bashkëpunim, ka vrarë një shtetas shqiptar në Belgjikë në vitin 1999. Sipas hetimit të autoriteteve belge, të cilat përcollën aktet pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Frroku dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë kanë vrarë një bashkëkombas pas konflikteve për trafikun e prostitucionit.
Ish-deputeti rezulton gjithashtu se është i dënuar nga Gjykata e Amsterdamit me 3 vjet burgim në vitin 2002, si i përshirë në veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, duke përdorur emrin Piro Sofrani.
Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin pasuror ndaj të pandehurit Frroku. Në vijim të këtij hetimi, ka rezultuar se Mark Frroku, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar pasurinë e mësipërme. Nga ekspertiza kontabël ka rezultuar se ai nuk justifikonte me burime të ligjshme një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij.
Për këto arsye, Prokuroria për Krime të Rënda evidentoi asetet e paluajtshme në emër të tij dhe kërkoi sekuestrimin e tyre.
Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga Gjykata për Krime të Rënda, e cila urdhëroi sekuestrimin e pasurive, si vijon:
Apartamente
1. Apartament me sipërfaqe 56.84 m2 në Orikum
2. Apartament me sipërfaqe 78.66 m2 në Orikum
3. Apartament me sipërfaqe 69.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
4. Apartament me sipërfaqe 49.3 m2 në Shëngjin, Lezhë
5. Apartament me sipërfaqe 55.2 m2 në Shëngjin, Lezhë
6. Apartament me sipërfaqe 100 m2 në Kashar, Tiranë
7. Apartament me sipërfaqe 100 m2 në Kashar, Tiranë
Dyqane
8. Dyqan me sipërfaqe 133 m2 në Tiranë
9. Dyqan me sipërfaqe 175 m2 në Tiranë
Garazhe (bodrume)
10. Bodrum 11.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
11. Bodrum 11.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
Tokë arë
12. Tokë arë me sipërfaqe 6000 m2, në “Grykë Lumi”, Lezhë