Maqedonia interesohet për pikën e përbashkët kufitare me Kosovën

Një delegacion nga Maqedonia u pritën sot në Prishtinë, ku mbajtën një takim me qëllim që të njihen për së afërmi me rrjedhën e projektit për hapjen e pikës kufitare Bellanocë – Stançiq, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë.

Në takim ishin zëvendësministri i MIE-së, Ramadan Ilazi, zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj, zëvendësministri i MMPH-së, Ferat Shala, ku pritën delegacionin e lartë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, të udhëhequr nga Arber Ademi, zëvendëskryeministër përgjegjës për Integrim Evropian, Shiret Elezi – ministre e Vetëqeverisjes Lokale dhe Bashkim Ahmeti, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në takim përfaqësuesit e palës kosovare u njohën me punën e deritanishme ku njëkohësisht konstatuan se vazhdojnë angazhimet për realizimi e këtij projekti strategjik për rajonin, raporton lajmi.net

Ndryshe, ndërtimi i pikës së përbashkët kufitare do të kushtojë 1.2 milion euro dhe do të financohet nga fondet IPA 2013 të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit delegacionet gjithashtu diskutuan ecurinë e agjendës evropiane të dy vendeve respektive, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e legjislacionit të BE-së, zbatimit të MSA-së si dhe implementimit të fondeve të BE-së.

Në veçanti, delegacionet diskutuan mbi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të zbatimit të fondeve ndërkufitare të BE-së apo Cross Border Cooperation (CBC).

Dy delegacionet nënvizuan lartë bashkëpunimin politik dhe teknik ndërmjet dy Qeverive dhe dhanë mbështetje të plotë politike për intensifikimin edhe mëtutjeshëm të shkëmbimit të informacionit dhe përvojave.

Temat
LajmeVend

Të afërta