Pas akuzave të Rudi Vatës në drejtim të Skënderbeut dhe jo vetëm, një tjetër figurë e futbollit shqiptar ka mbajtur qëndrim tejet kritik. Bëhet fjalë për ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e Flamurtarit, Edmond Lutaj, i cili jeton prej vitesh në Suedi.
Ai ka akuzuar rëndë edhe FSHF-në, duke e cilësuar si të korruptuar nëpërmjet një postimi publik.
“UEFA duhet ta kishte bërë shembull Skënderbeun duke e dënuar më ashpër sepse e meritonte. Unë kam ndjekur disa ndeshje në Kupat e Evuropës dhe dukej qartë që ndeshjet ishin të manipuluara. Por, turpi me i madh është kur këta presidentë dalin nëpër televizione dhe flasin për garë dhe investime të ndershme”.
“Një pjesë njerëzish, analistë, gazetarë, popull, bëjnë sikur i hanë këto mashtrime. Ekipi i Skënderbeut nuk është i vetmi klub që merret me një lojë të pistë, por janë dhe shumë klube të tjera. Unë mendoj se po vjen koha që këta matrapazë dhe shkatërrues të futbollit do të përfundojnë atje ku e meritojnë”.
“Federata Shqiptare e Futbollit është gjithashtu tejet e korruptuar, ku ka në krye njerëz që u shërbejnë vetes dhe disa klaneve të caktuara. Si ka mundësi që një autoritet kaq i lartë si Federata e Futbollit ta injorojë faktin që kampionia e Shqipërisë të dënohet nga UEFA dhe këta zotërinj nuk kanë asnjë qëndrim zyrtar për këtë çështje”.