Zanati i vjetër i thurjes së shportave ngjall shpresa të reja për artizanët romë

Shportat e thuprës-një produkt tradite i komunitetit rom po rigjejnë popullaritetin e humbur në treg falë përpjekjeve të Lëvizjes Egjiptiane Rome, duke siguruar një të ardhme më të mirë për familjet e artizanëve.

I ulur këmbëkryq mbi një shtrojë të hollë nën hijen e një peme, Qaniu, 70 vjeç, thur me shkathtësi të pazakontë një kosh prej thupre, të porositur më parë nga një dyqan lulesh në Tiranë. Ai njihet në të gjithë zonën e quajtur “Rrapishta” në lagjen 5 Maji të Elbasanit si profesori i shportave.

I moshuari i komunitetit rom dallon së largu prej mustaqeve të dendura, punon duke kënduar dhe ndjehet i kënaqur që zanati i të parëve po jep më në fund frytet e veta. Në këtë sipërmarrje të vogël ai ka përfshirë edhe fëmijët, duke siguruar të ardhura më të mira sesa nga tregtia e rrobave të përdorura.

“Kanë ardhur edhe nga Tirana që na i kërkojnë shportat. Edhe dyqanet këtu, i duan. Ky ka qenë zanati ynë. Me këtë kemi ushqyer fëmijët ne. Unë e kam mësuar nga babai im, ai nga i ati e kështu ka vazhduar me radhë,” thotë Qaniu për BIRN.

Në komunitetin rom të Rrapishtës, Qaniu nuk është i vetmi që i ka kthyer sytë drejt zanatit të vjetër për të siguruar një të ardhme për familjen e tij. Tetë artizanë të tjerë të përpunimit të thuprës punojnë bashkë me të për të përmbushur porositë që tashmë i kanë kaluar kufinjtë e Elbasanit.

Për vite me radhë, mjeshtrit e shportave në komunitetin rom thuajse e kishin braktisur zanatin për shkak të mungesës së tregut. Rikthimi i interesit për shportat e thuprës i dedikohet përpjekjeve të Lëvizjes Egjiptiane Rome, e cila gjatë vitit të fundit ka mundur të sigurojë një treg të qëndrueshëm për ushtruesit e këtij zanati.

Gentian Sejrani, drejtues i Lëvizjes Egjiptiane Rome i tha BIRN se thurja e shportave konsiderohej një ekskluzivitet i komunitetit që ai përfaqëson, ndaj energjitë e aktivistëve u fokusuan në gjetjen e një tregu të mundshëm për t’i rikthyer shkëlqimin këtij biznesi.

“Thurja e shportave është rast i artë për t’u kthyer në një biznes me fitim. Më thonin se nuk kishin ku t’i shisnin. Atëherë filluam kontaktet e para me disa pika shitjeje përgjatë rrugës nacionale Elbasan-Librazhd,” tregon Sejrani.

Aktivistët përdorën rrjetin Facebook për një fushatë sensibilizuese dhe patën sukses. Sejrani tregon se u kontaktuan nga shumë pika të shitjes së luleve, ky rasti më i veçantë ishte ai i shoqatës “Albania Doën Sindrome”, e cila kishte një dyqan lulesh në Tiranë. Një shoqatë e dytë “Albanian by nature” tregoi gjithashtu interes, ndërsa kontratat për artizanët e Elbasanit u shtuan.

“Bashkë me grupin e të rinjve kemi promovuar në dyqane lulesh shportat e komunitetit rom dhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Sigurisht që duhet të krijohej një lloj besimi tek ky komunitet,” shton Sejrani.

Një vit më parë, biznesi i shportave prej thupre ushtrohej nga katër artizanë, ndërsa aktualisht janë tetë të tillë vetëm në këtë zonë.

Astriti është një tjetër mjeshtër rom që merret me thurjen e shportave. Ai nuk ka shtëpi dhe shfrytëzon oborrin e një të afërmi për të punuar shportat e tij, bashkë me të birin. Astriti tregon se tashmë e ka lënë tregtinë e rrobave të përdorura dhe së bashku me të birin, krijojnë të ardhura për të jetuar.

Ata furnizojnë tregun e improvizuar të shportave në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd.

Artizanët e komunitetit rom i thanë BIRN se punojnë deri në 30 shporta në ditë, ndërsa kërkesat janë më të mëdha. Për këtë arsye, mjeshtrit e thurjes kanë filluar të kenë nxënësit e tyre për të zgjedhur numrin e artizanëve, por edhe për të trashëguar zanatin tek të rinjtë.

Gentjani thotë se projektet për thurjen e shportave shkojnë përtej organizimit spontan të kësaj periudhe, ndërsa planet janë për më shumë persona të punësuar të komunitetit.

“Që ky artizanat të ketë vazhdimësi duhet të ketë më shumë persona që merren dhe sigurisht edhe të rinj. Dikur ka ekzistuar ndërmarrja e artizanatit të prodhimit të shportave. Rikthimi me një model të ri të tregtimit dhe lidhja e kontratave të vazhdueshme do të shpëtonin nga varfëria këtë komunitet. Urojmë që ajo që kemi nisur të vazhdojë dhe të kemi sa më shumë të punësuar në thurjen e shportave,” thotë Sejrani.

Edhe pse të kënaqur me sa kanë arritur, objektivi i Lëvizjes Egjiptiane Rome është shumë më i madh. Aktivistët kanë hedhur idenë e zëvendësimit të koshave të plastikës nëpër zyra me punimet e thuprës, por realizimi i kësaj ideje kërkon shumë më tepër energji.

Artizanët e shportave janë të një mendjeje; një ndërmarrje e punimit të thuprës do të ishte zgjidhja më e mirë për të qenë të organizuar me orar të rregullt pune, me një treg më të sigurt, sidomos për të rinjtë, të cilëve, mjeshtrit dëshirojnë t’ua trashëgojnë zanatin që po fillon të sjellë të ardhura, më shumë se tregtia e rrobave të përdorura. /Birn/

Temat
LajmeRajon

Të afërta