Sadiku: Këtë sezon do të luajë për…

Armando Sadiku është pajtuar me faktin se do ta vazhdojë karrierën te Zyrihu, ani pse nuk besonte që do ta fillonte këtë sezon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.

Por i gjendur përballë një situate të tillë, ai ka vendosur që të përqendrohet vetëm te futbolli i luajtur.

“Për momentin mendoj vetëm të stërvitem dhe të luaj. Ndjehem si një fëmijë, më pëlqen të shkelmoj topin. Ndaj jetoj çdo gjë ditë pas dite”, u shpreh futbollisti shqiptar për “Tio.ch”.

Pas tronditjes fillestare, duket se situata të Zyrihu është përmirësuar ndjeshëm dhe Sadiku mendon se skuadra është në rrugën e duhur për t’u kthyer sa më shpejt në elitë.

“Ka mbetur ende pak tronditje për shkak të rënies. Por tani mund të them se ka një frymë të mirë grupi dhe lojtarët e rinj kanë sjellë optimizëm. Sipas meje, Uli Forte është shumë i aftë, një nga trajnerët më të aftë që kam takuar. Nuk di ta them nëse do të ngjitë menjëherë skuadrën, por ai është një trajner që di t’i mbajë të gjithë të përqendruar. Me të duhet të jesh gjithmonë gati”, ishin fjalët e tij.

“Dy ditë pas kthimit tim te Zyrihu kam zhvilluar një miqësore të mirë ndaj Borusia Mynshengladbah, pastaj kam bërë rreth 10 seanca stërvitore me skuadrën dhe nuk isha në formën më të mirë për shkak të pushimeve të gjata pas pjesëmarrjes në Europian. Por jam gjithsesi i lumtur që trajneri më dha besim, mendoj se kam ndihmuar skuadrën të fitojë këtë ndeshje”, tha lojtari i cili nuk bëri asnjë koment rreth refuzimit të festimit të golit.

Temat
BotëSport

Të afërta