Higuain “tranon” tifozët e Napolit: De Laurentiis më shtyu drejt Juventusit

Napoli është e kaluara, pasi e tashmja dhe e ardhmja mban emrin e Juventusit, me Higuain që u shfaq vërtet i lumtur për këtë transferim.

I emocionuar, i veshur shik dhe pa u kursyer me fjalët. Kështu u prezantua Gonzalo Higuain në konferencën e shtypit me Juventusin. E pamundur të evitoheshin pyetjet mbi Napolin dhe presidentin De Laurentiis, por Higuain është një ndër ata që nuk bëjnë pas, përkundrazi.

“Kam qëndruar në heshtje gjithë këto ditë. Ishin tre vite të mrekullueshëm dhe nuk mund të bëjë tjetër veçse të falënderoj për gjithë dashurinë që më kanë dhënë, por bëra këtë zgjedhje për motivet e mia. Tani mendoj vetëm për Juventusin, e kuptoj që janë të nxehur me mua, kam parë edhe fyerje, por ishte një zgjedhje që duhej ta bëja dhe jam i lumtur për këtë. Sarri ishte një trajner i madh për mua, nëse është nxehur pasi ika pa e përshëndetur kërkoj falje. De Laurentiis? Largimi ishte një zgjedhje e imja, por më shtyu ai ta bëja, falënderoj tifozët dhe shokët e mi të skuadrës, jo De Laurentiis. Nuk kisha më një raport me të, nuk doja të qëndroja më asnjë minutë me të”.

Napoli është e kaluara, pasi e tashmja dhe e ardhmja mban emrin e Juventusit, me Higuain që u shfaq vërtet i lumtur për këtë transferim.

“Është një skuadër fituese me një projekt të jashtëzakonshëm, falënderoj drejtuesit që bënë një sforco të madhe, tani dua t’iu tregoj atyre që bënë mirë që më morën duke bërë një sezon të madh”.

Fakti që është lojtari i blerë më shtrenjtë në gjithë historinë e Juventusit duket se nuk e tremb aspak argjentinasin.

“Për mua është një gëzim i madh, shpresoj ta shfrytëzoj këtë rast dhe të tregoj se ja ka vlejtur. Në jetë duhet të besh zgjedhje, nuk ishte e lehtë, por i thashë po Juves, pasi është një klub i bindur për të fituar dhe mund të arrijë cdo objektiv, edhe Championsin. Triumfi i trefishtë duhet të jetë një objektiv për një skuadër të mësuar me fitoret, një ëndërr për të cilën duhet të punojmë shumë”.

Higuain ka zgjedhur fanellën me numrin 9, por lojtari i preferuar i Juventusit të së kaluarës për të është Del Piero.

“Kur isha në Madrid më pëlqente shumë, shikoja gjithmonë Juventusin për të parë atë. Dybala është një mik, kemi folur dhe do të jetë mirë të luaj me të. Mandzukic? Konkurenca nuk është një problem, kur isha te Reali aty ishin Raul e Van Nistelroooy. Totti ka folur për mercenarë? Mund të them që është futbollist i madh, nuk kam përgjigje për të, kjo ishte një zgjedhje e imja dhe jam i lumtur”.

Temat
BotëSport

Të afërta