Dua Lipa është këngëtare shqiptare, e cila aktualisht jeton dhe vepron në Britani të Madhe.
E lindur në Londër, më 22 gusht të vitit 1995, Dua është rritur nën frymën e muzikës së babait të saj, Dukagjin Lipës, i cili është muzikant.
Si adoleshente, këngëtaret e saja të preferuara ishin Nelly Furtado dhe Pink, duke kaluar kështu në zhanrin e muzikës Hip-Hop dhe Rap.
Mirëpo, në vitin 2008, familja e saj zhvendoset në Kosovë pas pavarësisë së vendit. Në moshën 15-vjeçare, Dua vendosi të kthehet në Londër dhe jetonte me miqtë e saj.
Dhe kështu ajo filloi të punonte si modele në moshën 16 vjeçare dhe të publikoj në Youtube covers duke kënduar këngët e saj të preferuara.
Dua vëmendjen më të madhe e arriti kur fitoi audicionin për pjesëmarrje në reklamën e ‘X Factor UK’, në vitin 2013.
Më vonë, kur ishte vetëm 19-vjeçare, publikoi këngën e saj të parë ‘New Love’ në vitin 2015.
Përmes kësaj kënge, ajo fitoi dashurinë e shumë të rinjve në mbarë botën. Po në të njëjtin vit ajo publikoi këngën e dytë ‘ Be the one”, këngë e cila e vendosi Duan në majat e top listës Britanike si artisten më të mirë të re të vitit 2016.
Pas kësaj kohe, Dua Lipa nuk u ndal, dhe kështu publikoi këngën e saj të radhës, në shkurt të vitit 2016, të titulluar ‘Last Dance’, e cila pati një sukses të madh, shkruan Telegrafi.
Dua është njëkohësisht edhe tekstshkruse e pothuajse të gjitha këngëve të saj ku edhe e përshkruan stilin e saj si ‘pop i errët’ .
Pak kohë më parë është publikuar edhe albumi i saj debutues ‘ Hotter than hell’, i cili i prin turit të saj në Britani dhe Evropë.
Dua Lipa, do të jetë e pranishme në Kosovë me datë 9 gusht, ku edhe do të mbaj koncert për të gjithë fansat e saj në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.