Njëri nga vrasësit e priftit në një kishë në Normandi (Francë), një ngjarje që tronditi botën ditën e djeshme, tashmë ka një emër.
Ai është Adel Kermiche, i njohur si një element me rrezikshmëri terroriste. 19-vjeçari “ushtar i ISIS-it” ishte nën vëzhgim me një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës, pasi ishte arrestuar dy herë në përpjekje për t’u larguar nga Francë dhe për t’iu bashkuar grupit terrorist në Siri.
Paraditen e djeshme, për rreth 4 orë ai ishte lënë pa vëzhgim, duke patur mundësinë të ekzekutojë priftin, gjatë një sulmi në kishë nga ora 9 deri më 11.
Kermiche dhe bashkëpunëtori i tij, gjithashtu i njohur nga policia e ekzekutuan priftin dhe filmuan veten duke kryer disa rite në gjuhën arabe në altarin e kishës së Saint-Etienne-du-Rouvray, bënë të ditur dëshmitarët, të cilëve u referohet “Daily Mail”.
Të dy sulmuesit u qëlluan për vdekje nga policia. Në disa prej fotove, Adel Kermiche shfaqet në vitin 2011, kur ai ishte ende shumë i ri.