Dikur Yahoo refuzonte të blinte Google-n, tani shitet për vetëm 5 miliardë dollarë

Pas shumë përpjekjeve për të ringjallur një apel të vjetër të Yahoo, tashmë ata vetë kanë njoftuar se shumica e shërbimeve të tyre kryesore i janë shitur gjigantit Verizon, që ofron produkte dhe shërbime të telekomunikacionit.

Gjatë viteve të 90’ta, Yahoo ishte një ndër kompanitë më të suksesshme, megjithatë dështoi duke tentuar të jetë në hapë me tendencat e fundit, transmeton lajmi.net.

Një tjetër faktor i madh që ka kontribuar në shkatërrimin e saj ka qenë edhe menaxhimi i dobët nga drejtuesit e saj.

Në vitin 1998 Google i ofroi Yahoo-s një mundësi për ta blerë atë për 1 milion dollarë, megjithatë Yahoo nuk ngjalli aspak interesim për këtë.

Megjithatë, në vitin 2002 Yahoo duket se ishte pishman për ofertën që dikur kishin refuzuar e me këtë rast i kërkuan përsëri Google që ta merrnin për 3 miliardë dollarë, megjithatë kompania e Google pranonte vetëm nëse ata e blinin për 5 miliardë dollarë, gjë që shefi i Yahoo Terry Semel përsëri e refuzoi.

Në vitin 2008, pas disa negociatave të pandërprera, Microsoft i bëri një ofertë Yahoo-s, që ta blenin atë për 44.6 miliardë dollarë, por Yahoo e refuzoi edhe këtë, me shpresën që shumë shpejt do të marrin një ofertë edhe më të madhe.

Raportet në atë kohë, tregonin se Microsoft ishte i gatshëm t’i ofronte deri në 50 miliardë dollarë.

Nëse Yahoo kishte pranuar qysh në fillim një marrëveshje me Google, ajo sot do të njihej ende.

Ndërsa tani në vitin 2016, Yahoo më në fund u ble nga kompania gjigante e telekomunikacionit, Verizon për 5 miliardë dollarë, para të gatshme.

Marissa Mayer, shefe ekzekutive e Yahoo tha se kjo kompani do të vazhdojë të bëjë ndryshime të mëdha nëpër botë, e kjo përmes kombinimit me Verizon dhe AOL.

Ndërkaq shefi i AOL Tim Armstrong, ka thënë se potenciali i Yahoo do të shpërthejë përsëri.

“AOL së bashku me Yahoo do të kenë më shumë se 25 marka, duke përfshirë këtu edhe Yahoo Mail, Flickr, Tumblr, Huffington Post dhe TechCrunch”.

Temat
Teknologji

Të afërta