Bilanc tragjik, shënohet viktima e katërt nga zjarri te ‘Amerikani’

Bilanc tragjik. Shënohet viktima e katërt e zjarrvënies së qëllimshme në pavionin e hemodializës në Spitalin privat Amerikan në Tiranë.

Prej dy ditësh në reanimacionin e spitalit të Traumës, 47-vjeçari Dashamir Saraçi ndërroi jetë këtë të mërkurë, duke mos i mbijetuar djegieve që pati në rreth 90 % të trupit. Me ndarjen e tij nga jeta, numri i viktimave shkon në katër. Lerfter Canaj 67 vjeç, pacient për shërbimin e hemodializës, i vuri flakën Saraçit duke derdhur mbi trupin e tij një shishe me benzinë, teksa 47-vjeçari ishte lidhur me aparaturë.

Ai u përpoq të shmangte tragjedinë, por Canaj ja doli të ndezë çakmakun duke e shpërthyer në flakë dhomën e pavionit. Fati i keq deshi që bashkë me Lefterin, i cili ndërroi jetë një ditë pas tragjedisë, të vdisnin në vend edhe dy gra paciente që po merrnin shërbimin në këtë dhomë, Sanie Sulaj nga Mamurrasi 55 vjeç dhe 65-vjeçarja Anife Mali nga Laçi.

Të shpëtuar nga kjo tragjedi dolën infermieri Stilian Bardhi nga Berati, i cili e kishte të pamundur të ndërhynte në kohë për të shuar konfliktin mes tyre, dhe një tjetër pacient që ishte në dhomën ku trajtoheshin edhe të sëmurët me hepatitin C.

Ndërsa për këtë ngjarje kanë nisur hetimet, mbetet ende mister shkaku që e shtyu 67-vjeçarin të ndërmarrë këtë akt ekstrem.

Temat
LajmeRajon

Të afërta