PShDK:Krim i tmerrshëm me motiv urrejtjeje religjioni

Partia Shqiptare Demokriastiane është e tronditur thellë me krimin makabre që u ndërmor nga katër terroristë islamikë që për motive të ulta urrejtjeje në baza fetare u futën në kishën e Saint-Etienne-du-Rouvray, afër Rouen, derisa po mbahej mesha, duke i marrë pengë besimtarët, priftin dhe dy motrat e nderit, me ç’rast prenë në fyt priftin, para se të vriteshin nga forcat franceze të rendit.

Franca, sikur se edhe shumë vende perëndimore janë duke përjetuar çaste të rënda të urrejtjes deri në përpjekie që me akte të dhunës dhe frikësimit të destabilizojnë shtetet me demokraci të avansuar, ose të paktën të mbjellin frikë dhe panik tek qytetarët.

Në botën perëndimore po ndodhë ajo që më së paku do duhej të ndodhte: mosmirënjohja, përbuzja dhe injorimi i gjithë asaj që shtetet me shkallë më të lartë përkujdesjeje sociale ofrojnë për njerëzit në nevojë, pavarësisht gjuhës, kulturës, racës dhe besimit.

Një valë e urrejtjes dhe mosdurimit ndaj vlerave perëndimore po ndodhë edhe në Gjermani, ku koncentrimi i qytetarëve të ikur nga kontinenti i Azisë dhe Afrikës, aktualisht është më i madh se në çdo vend tjetër evroperëndimorë.

Ky fluks i madh emigrantësh me kulturë dhe traditë të ndryshme nga qytetërimi perëndimor, është duke vazhduar me intensitet të njëjtë, që sipas informacioneve që vinë nga vendet nikoçire, do krijojnë kaos edhe më të madh dhe do godasin në vlerat fundamentale evro-perëndimore.

Liria e besimit është e drejtë e garantuar me ligj dhe kushtetutë në të gjitha shtetet perëndimore me demokraci të konsoliduar. Këtë e dëshmon edhe ngritja e qindra objekteve të kultit të të gjitha besimeve, mirëpo përpjekia për të ndryshuar apo rrënuar gjithë atë civilizim që ka trashëguar me shekuj Evropa e në këtë merrë pjesë edhe Kosova dhe trojet etnike shqiptare, është një aventurë që fundin do ta ketë të turpshëm për inspiruesit dhe ekzekutuesit e kësaj ideje dhe ideologjie.

PSHDK-ja me vizion dhe orientim të përcaktuar e të dëshmuar evroperëndimor do qëndrojë paluhatshëm me popujt dhe shtetet perëndimore për të avansuar edhe më tej demokracinë, por njëkohësisht dënon çdo akt dhune ndaj akcilit njeri apo grupacioni etnik, kulturor a përkatësie religjioni.

Zyra për Informim e PSHDK-së

Temat
LajmeVend

Të afërta