Policia i ka ardhur në ndihmë një grupi turistësh të huaj dhe shqiptarë (3 të huaj e 3 vendas), të cilët mbetën të dëmtuar lehtë, pa rrezik për jetën nga rrufeja.
Sipas policisë, turistët ndodheshin për piknik në “Bjeshkët e Grevës” sipër fshatit Ilnic të Dibrës.
Rreth orës 15.00 disa turistë janë përballur me motin e keq me shi, stuhi e rrufe dhe për t’ju shmangur stuhisë u futën në një vend të mbrojtur nga shiu.
Por disa metra më tej ka rënë një rrufe e për pasojë 6 prej tyre janë lënduar lehtë.
Policia lokale ka shkuar menjëherë në ndihmë të turistëve duke i transportuar në spitalin e Dibrës.
Turistët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe nuk kanë shfaqur probleme serioze për shëndetin, por për shkak të tronditjes personeli mjekësor do t’i trajtojë me ndihmë edhe për 24 orët në vijim.