AGK kërkon largimin e ambasadores Kivilcim Kiliç nga Kosova

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një reagimi, ka dënuar kërkesën e Turqisë për ta arrestuar gazetarin dhe drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhalën.

Në reagimin e AGK’së thuhet se kërkesa e Ambasadës Turke drejtuar MPJ’së për ta arrestuar Buzhalën është shkelje e rëndë dhe kanë kërkuar nga ambasada që të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz dhe largimin e ambasadores Kivilcim Kiliç nga Kosova.

Për këtë kërkesë kanë shkruar edhe mediat botërore.

Ka qenë agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ajo që ka shkruar e para për kërkesën e ambasadës turke në Kosovë, e cila përmes një letre i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës që të ndërmarrë veprime për komentet e gazetarëve kosovarë në lidhje me tentim puçin në Turqi.

Lajmi pastaj ka qarkulluar nëpër media tjera të mëdha botërorë, sic është gazeta e përditshme amerikane, The New York Times, si dhe e përditshmja konservatore britanike, Daily Mail, shkruan Express.

Reagimi i plotë nga AGK:

Reagim Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon kërkesën e Qeverisë së Turqisë e parashtruar përmes Ambasadës së Turqisë në Prishtinë për arrestimin dhe dënimin e gazetarit Berat Buzhala. Ne e konsiderojmë shkelje të rëndë kërkesën e Ambasadës Turke drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës e ku bëhet thirrje për marrjen e masave ndaj gazetarit në fjalë. Njëherësh rikujtojmë ambasadën turke se gazetarët në Kosovë e kanë të drejtën e lirisë së fjalës e cila nuk guxon të rrezikohet nga askush pasi është e drejt e garantuar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Pas publikimit të këtij rasti, AGK-ja ka komunikuar me gazetarin Buzhala i cili ka njoftuar se “statusi në Facebook” ka qenë krejtësisht i karakterit sarkastik. Nga Ambasada Turke në Prishtinë kërkojmë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që poashtu kërkojmë largimin nga Kosova të Ambasadores së Turqisë Kivilcim Kiliç. Një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për komunitetin tonë.

Temat
LajmeVend

Të afërta