Vëllai i Armela Segashit, e cila ndërroi jetë si pasojë e sulmeve që ndodhën pasditen e së premtes në qendrën tregtare të Mynihut, ka falënderuar të gjithë njerëzit që në këtë moment të vështirë i janë gjendur pranë familjes. Përmes një postimi në facebook, Arbnor Segashi tha se do të jetë mirënjohës ndaj njerëzve që u solidarizuan me familjen e tij përgjatë këtyre momenteve të dhimbshme.
Ai thekson se familja nuk dëshiron para nga personat që vijnë për ngushëllime, pasi i kanë mundësitë për ta transportuar motrën dhe për ta varrosur atë. Arbnori shton se as paratë e gjithë botës nuk do ta lehtësonin dhimbjen e familjes së tij.
“Kërkoj nga ju të injoroni të gjitha apelimet që bëhen në emër të familjes time. Unë dua të falënderoj të gjithë ata të cilët tentuan për të ndihmuar apo që donin të ndihmonin apo edhe ata që kanë ndihmuar mua dhe familjen time. Një pjesë e parave të grumbulluara do të shkojnë për fëmijët në nevojë. Ju lutem, ndaloni së dhuruari donacione.
Ne kemi mjetet dhe mundësitë për të transportuar motrën tonë dhe për ta varrosur atë në vendlindje. Unë e di se ju të gjithë dëshironi për të na ndihmuar ne për të na e lehtësuar dhimbjen, por as paratë e gjithë botës nuk na ndihmojnë apo na e lehtësojnë dhimbjen tone”, shkruan Arbnor Segashi në facebook.