Një prej personave të shumtë që ndodheshin në qendrën tregtare në Mynih ku ndodhi ngjarja e tmerrshme, ishte edhe shqiptari nga Kosova Luan Zeqiri, i cili fatmirësisht i ka shpëtuar sulmit.
Si dëshmitar i kësaj ngjarje, ku deri tani janë konfirmuar 9 viktima dhe shumë të plagosur, Zeqiri ka treguar momentet e tmerrit që përjetoi për mediat gjermane, ndërsa citohet edhe nga BBC.
Ai është shprehur se ka parë vetëm një agresor, teksa ka qëlluar me armë mbi 2 persona të cilët po ngjisnin shkallët. Shqiptari Luan Zeqiri tregon se i shpëtoi sulmit duke u fshehur në një dyqan. Ai thotë se ka parë të shtrirë në tokë persona të vdekur e të tjerë të plagosur.
Policia bavareze bëri të ditur se dëshmitarë kanë informuar përmes telefonit se kanë parë 3 agresorë të armatosur në rrugët përreth vendngjarjes, të cilët iu drejtuan fillimisht qendrës tregtare e më pas janë larguar për nga stacioni i metrosë. Ata janë ende në arrati, ndërsa ka raportime se njëri prej tyre është vetëvrarë.