Enver Hoxhaj mashtroi, PDK-ja nuk ka marrë vendim për ‘shkarkimin’ e Petrit Selimit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj sot nga Gjermania “legjitimoi” shkarkimin e Petrit Selimi i udhëheqës nacional i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, një fond i mbështetur kryekëput nga SHBA-të.

Selimi, i cili është edhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka thënë sot se shkarkimi i tij nga kryeministri Isa Mustafa është bërë pa dijeni e tij dhe pa u konsultuar as me partnerin e koalicionit, PDK-në, partinë nga vije Selimi.

Burime të lajmi.net brenda kryesisë së PDK-së thonë se janë të befasuar si me shkarkimin e bërë nga kryeministri e po ashtu edhe me deklaratat e ministrit Hoxhaj.

Sipas tyre, Hoxhaj në vend që ta mbronte bashkëpartiakun e tij, ai del kundër dhe legjitimon një vendim që nuk është marrë në kryesinë e partisë.

Hoxhaj ka thënë sot se shkarkimi i zv.ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ishte krejtësisht ligjor, dhe se për bindjen e tij ka pasur koordinim për këtë gjë. Hoxhaj ka shkuar edhe me tej, duke thënë se kjo është bërë në koordino me PDK-në.

Mirëpo, burimet e lajmi.net brenda kryesisë së PDK-së e përgënjeshtrojnë Hoxhajn.

“Në PDK nuk është biseduar as kur është emëruar Petrit Selimi në atë pozitë e aq më pak tani që është hequr nga pozita. Ai nuk është emëruar aty si zyrtar i PDK-së, por si njeri që mund ta kryej atë detyrë të rëndësishme. Andaj, kjo nuk është çështje partiake parimisht”, thonë burimet brenda PDK-së.

Sipas tyre, deklarata e Hoxhajt nuk është e vërtetë dhe për më shumë është dashakeqe për partinë dhe Petrit Selimin.

Temat
LajmeVend

Të afërta