Thaçi pret unitet politik për demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se debati që do të zhvillohet më 3 gusht në Parlamentin e Kosovës, pret që të krijojë konsensus dhe unitet të partive politike në vend.

Gjatë vizitës së tij në Komitetin Olimpik të Kosovës, Thaçi ka thënë se demarkacioni është në interes të Kosovës dhe Malit të Zi, për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Unë dua të besoj që debati që do të zhvillohet me 3 gusht do të jetë në funksion të krijimit të një konsensusi sa më të gjerë dhe të një uniteti funksional për aprovimin apo votimin pa dallim partie të çështjes së demarkacionit, që është në interes të dy vendet, për Kosovën, për Malin e Zi, për paqen dhe stabilitetin edhe në rajon, prandaj kjo çështje mendoj se duhet ta bashkojë spektrin politik dhe në asnjë rrethanë të mos ketë dilema apo interesa të politikës ditore në vend të agjendës shtetërore euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi, raporton Koha Ditore.

“Kështu që mua më mban shpresa dhe optimizmi se spektri politik do të veprojë drejt dhe natyrisht kjo çështje do të përmbyllet në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Mbështetjen time si President do ta kenë të qëndrueshme”, ka thënë veç të tjerash presidenti i Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta