Drejtori i burgjeve demanton ministrin e brendshëm, për radikalizmin në burgje

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka deklaruar një ditë më parë se ka rrezik nga përhapja e radikalizmit edhe në burgjet e Kosovës.

Para Komisionit Parlamentar të Sigurisë ai tha se në lidhje me këtë çështje do të ndërmerren masa.

Sipas tij, të dënuarit për radikalizëm duhet të integrohen në shoqëri dhe jo të jenë ndikues në radikalizmin e të tjerëve.

Por përhapjen e radikalizmit në burgje e mohon Sokol Zogaj, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Zogaj ka thënë se për RTK-në se janë marrë të gjitha masat e sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese që të burgosurit janë vendosur.

Për dallim nga ministri Hyseni, drejtori i burgjeve tha se nuk ka informacione për rritjen e radikalizmit në burgje.

“I kemi përcjellë në vazhdimësi dhe trajtimi i tyre është bërë i barabartë pa dallim nga të tjerët. Nuk kemi vërejt ndonjë organizim brenda burgjeve që ata radikalizohen apo krijojnë situata të tilla”, tha Zogaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta