Zhbogar: Asociacioni dhe Demarkacioni paralizuan jetën politike

​ Kriza dhe paralizimi i jetës politike në vend konsiderohet të jetë ndër problemet madhore të cilat do të trajtoj raporti i ri i progresit për Kosovë.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se dy marrëveshjet, ajo e demarkacionit dhe Asociacionit kanë paralizuar jetën politike në vend, çështje kjo që do të zë vend kryesor në raportin e progresit.

Ai ka thënë se brenda raportit do të përmenden edhe emërimet në ndërmarrjet e institucionet publike dhe politizimi i këtyre emërimeve, e që rrjedhimisht pengojnë në funksionalitetin e këtyre institucioneve.

“Do të jemi më të zëshëm tani rreth emërimeve të larta që njerëzit po marrin në këto borde, për standardet e Kosovës do të thosha që është vërtet numër i lartë dhe i papranueshëm, që nga bordi i AKP-së e tek institucionet të tjera”, ka thënë Zhbogar .

Progresi që është bërë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do të përshëndetet nga ky raport ndonëse sipas Zhbogar mbetet shumë për tu bërë.

“Ministri Agani dha dorëheqje, pasi u akuzua, për çfarë mendoi se duhet të njihet si normë, si normë pozitive. Pra, ka gjëra pozitive edhe pse në të njëjtën kohë kemi një kryetar, i cili jo vetëm që është i akuzuar, por edhe i dënuar dhe ende është në pozitën e tij”, ka thënë ai.

Zhbogar ka theksuar se vazhdimisht është bërë thirrje që këta persona të cilët janë të akuzuar duhet të japin dorëheqje apo një gjë e tillë të kërkohet nga subjekti i tyre politike.

Temat
LajmeVend

Të afërta