Meta: Të enjten miratojmë Kushtetutën konsensuale. STOP populizmit se kush e do më shumë drejtësinë

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka përshëndetur frymën bashkëpunuese mes liderëve politikë, kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha në këtë fazë përfundimtare të procesit të reformës në drejtësi.
Në një konferencë të posaçme për mediat, Meta bëri të ditur se sapo është miratuar rendi i ditës i seancës plenare të 21 korrikut, e fundit për këtë sesion parlamentar. Reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese për ta vënë atë në jetë do të jenë çështja kryesore e diskutimeve.

“Kushtetuta e re, pas asaj të ‘98-ës duhet të jetë konsensuale” – tha Meta.

“Kjo është seanca më e rëndësishme e kuvendit të Shqipërisë, që nga dita kur u votua kushtetuta e vendit tonë, do na duhet të miratojmë e konsensus ndryshimet kushtetuese, që ristrukturojnë drejtësinë e dekadave të ardhshme” tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se janë vetëm dy momente fare të vogla që kërkojnë dakordësinë përfundimtare të ekspertëve negociatorë. “Ata janë të mandatuar të ushqejnë qëndrime konsensuale mbështetur vetëm mbi propozimin hibrid paraqitur nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit Nuland, që ka mbështetjen e BE dhe SHBA”, vijoi ai .

Meta kërkoi që diskutimet e fundit të negociatorëve të jenë të hapura dhe transparente për mediat dhe qytetarët.

Meta ftoi edhe përfaqësuesit ndërkombëtar të përfshihen në këtë proces. “Kuvendi i Shqipërisë do ta kthej të enjten në një ditë suksesi kombëtar”, theksoi kryeparlamentari.

Në përfundim, kreu i LSI-së kërkoi moratorium të deklaratave politike. “Ti themi stop kush e do më shumë reformën, populizmi e ka dëmtuar mjaft këtë reformë”, tha Meta.

Temat
LajmeRajon

Të afërta