Maqedoni, përfundojnë pa sukses bisedimet për zgjidhjen e krizës politike

Ka përfunduar pa sukses edhe një raund tjetër i bisedimeve të partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos për dhënie fund të krizës politike në Maqedoni, që u zhvilluan në rezidencën e SHBA-së, në Vodno të Shkupit.

Pas disa orëve të kaluara në negociata, ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily në një prononcim për gazetarët tha se pret që deri në fund të kësaj jave të arrihet një marrëveshje.

“Ajo të cilën mund ta transmetoj tek ju është se kemi një propozim interesant në tryezë. Afati i fundit nuk është vendosur, por ajo që është e rëndësishme është se negociatat do të vazhdojnë edhe nesër. Shpresoj se një zgjidhje për krizën do të jetë e arritshme nga fundi i kësaj jave”, tha Bailey.

Takimi i sotëm nuk u ndoq nga ambasadori i BE-së, Aivo Orav, i cili po qëndron në Bruksel për konsultime, por nga të deleguarit e tij.

Temat
LajmeRajon

Të afërta