Estrada e Kosovës po këndon para Prokurorisë – dyshohen për shmangie tatimi

Një hetim nga një prokuror kosovar po zhvillohet ndaj këngëtarëve për shmangie tatimi, që i ka bërë ata që të “këndojnë” te Administrata Tatimore këto ditë. Hetimi ka gjetur se disa këngëtarë kanë më shumë para në llogaritë e tyre se sa mund t’i sqarojnë, e ka nga ata që paratë nuk i mbajnë në bankë edhe pse fitojnë shumë.

Prokurori kosovar Atdhe Dema i ka bërë këto ditë këngëtarët kosovarë që të këndojnë edhe diku tjetër, pos nëpër plazhe e dasma. Ata janë paraqitur tek Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) pas nisjes së një hetimi ku të njëjtit dyshohen se i janë shmangur tatimit në fitim.

ATK’ja ka konfirmuar për Express se këngëtarët janë duke u dukur kah zyrat e tyre, por nuk kanë dhënë detaje.

“Këngëtarët janë duke u thirr nga ATK’ja si çdo tatimpagues tjetër”, ka thënë për Express Valentina Bytyqi Sefa.

Edhe disa nga këngëtarët e kontaktuar nga Express e kanë konfirmuar për gazetën se janë thirrur nga Administratat Tatimore.

Reperi Lyrical Son tha për Express se ditë më parë ishte për ta dorëzuar vërtetimin që e ka bërë pagesën për 3 mujorin e fundit.

“Që kur kam filluar të fitoj nga muzika unë kam bërë gjithmonë pagesa dhe nuk kam problem me ATK në asnjë aspekt”, tha ai për Express.

Genc Prelvukaj, një tjetër këngëtar kosovar kishte provuar pak edhe politikën i tha Express’it se ka biseduar me AKT’në dhe “që nga viti 2009 ne do t’i bëjmë pagesën që duhet por ende nuk e di sa është shumë për pagesë pasi që ende është në procedim”.
Prelvukaj sqaroi se afatin për pagesë e kanë deri në shtator të këtij viti.

“Sa i përket xhirollogarisë jo nuk më është bllokuar”, tha Prelvukaj për Express.

Atij ende nuk i është bllokuar xhirollogaria bankare, por ndonjë kolegu të tij kjo mund t’i ndodh shpejt, merr vesh Express.

Gazeta ka mësuar se prokurori Atdhe Dema ka gjetur deri tash se Afrim Muçiqi, Nysret Muçiqi, Albatrti Muçiqi e Ermal Fejzullahu kanë pasur më së shumti para në xhirollogari se sa që mund t’i sqarojnë dhe se sa kanë paguar tatime për to.

Hetimi gjen se këngëtari Muhedin Përgjeçaj -Meda, ndërkaq, nuk ka pasur para në xhirollogari, ani pse njihet për çmime të shtrenjta dhe fitime të majme nga zanati i tij.

Burimet e Express thonë se një aktakuzë ndaj disa prej këngëtarëve pritet të ngitet jo shumë larg kohë nga ky hetim.

Temat
LajmeShowbizVend

Të afërta