Basha i jep edhe një shans Ramës për konsensusin e reformës në drejtësi

Edhe pse bëri një deklaratë të fortë kur tha se marrëveshja e arritur dje në takimin mes tij, Ramës dhe Metës, u prish nga kryeministri, lideri i opozitës Lulzim Basha ka ndryshuar qëndrim pas deklaratës që Rama mbajti këtë mesditë.
Kreu i qeverisë tha se do të luftojë deri në minutën e fundit për të miratuar me konsensus të plotë reformën në drejtësi në seancën plenare të 21 korrikut.

“Është prishur marrëveshja e rënë dakort me një qellim, për të shmangur konsensusin në Parlament. Sot dua të falenderoj kryetarin e Kuvendit për rolin konstruktiv. Kanë dalë qartë petët e lakrorit kush e do dhe kush nuk e do konsensusin. PD ka votat gati për të votuar më 21 korrik në parim draftin kushtetues dhe pas rakordimit për 7 ligjet, votimin nen për nen për të gjitha çështje”, tha Basha pas takimit që mbajti sot në “Rogener” me kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Por pak orë më vonë në një konferencë për mediat pas kësaj deklarate, edhe pse nuk e beson apriori, Basha tha se kjo është një mundësi e veçantë për ta sprovuar shefin e mazhorancës për konsensusin e kësaj reforme.

“Kemi kërkuar bashkim dhe jo përçarje, jo një reformë si projekt politik”, – tha Basha. Ai shtoi se zgjidhja e cështjeve të mbetura pezull do të vijë bazuar në draftin hybrid të SHBA dhe BE.

Temat
LajmeRajon

Të afërta