Taip Erdogan, pilotët rebelë te dy avionëve luftarakë F-16 e kishin aeroplanin e Erdoganit në objektivin e tyre. E megjithatë, ai nuk u qëllua.
Në kulmin e përpjekjeve për të rrëzuar presidentin turk
Taip Erdogan, pilotët rebelë te dy avionëve luftarakë F-16 e kishin aeroplanin e Erdoganit në objektivin e tyre. E megjithatë, ai nuk u qëllua.
Lideri turk po kthehej në Stamboll nga pushimet pranë një rezorti në
vendin bregdetar Marmaris në momentin kur një fraksion në ushtri nisi përpjekjet për grusht shteti mbrëmjen e së premtes, duke bllokuar urën e Bosforit dhe duke u përpjekur të kapnin aeroportin kryesor të Stambollit, si dhe duke dërguar tanke në parlamentin e Ankarasë.
“Të paktën dy F-16 “ngacmuan” avionin e Erdogan, ndërkohë që ai ishte në ajër rrugës për në Stamboll. Ata vendosën radarët e tyre mbi avionin e tij dhe në dy avionë F-16 të tjerë që e mbronin atë,” tha një ish-oficer ushtarak për Reuters.
“Por fakti që ata nuk qëlluan mbetet mister,” vazhdoi ai.
Një përmbysje e suksesshme e Erdogan, i cili ka udhëhequr vendin e afro 80 milionë personave që nga viti 2003, mund ta dërgonte Turqinë në konflikt dhe shënoi një ndryshim sizmik në Lindjen e Mesme, 5 vjet pas kryengritjeve arabe që shpërthyen në Siri.
Një zyrtar i lartë turk ka konfirmuar për Reuters se avioni i Erdogan është ngacmuar teksa fluturonte nga dy F-16 që ishin pjesë e komplotuesve të grushtit të shtetit, por se ai kishte mbërritur në mënyrë të sigurtë në aeroportin e Stambollit.
Një zyrtar i dytë i lartë tha gjithashtu se avioni presidencial kishte qenë “në telashe, në ajër”, por nuk dha hollësi.
Erdogan shpjegoi se si “grushti i shtetit” ishte përpjekur ta sulmonte atë edhe gjatë kohës që ishte me pushime, dhe kishin bombarduar vendin ku ai pushonte vetëm disa moment pasi ai të largohej. “Ai e shmangu vdekjen në pak minuta,” tha zyrtari i dytë.
Rreth 25 ushtarë zbritën nga disa helikopterë me litarë duke qëlluar drejt vendit ku pushonte Erdogan, por kur ky i fundit ishte larguar, transmeton CNN Turk.
Kryeministri Binali Yildrim ka qenë gjithashtu në shënjestër të drejtpërdrejtë në Stamboll gjatë grushtit të shtetit, por kishte arritur të arratisej me sukses.
Të shtënat me armë zjarri dhe shpërthimet tronditën Stambollin dhe Ankaranë natën e së premtes, teksa një fraksion i armatosur i ushtrisë u përpoq të merrte pushtetin në selinë e inteligjencë turke dhe parlamentit në kryeqytet. Në një moment ata urdhëruan televizionin shtetëror të lexonte një deklaratë ku thuhej se ishte arritur shtetrrethimi mbarëkombëtar.
Por përpjekja u shpërbë teksa forcat besnike të Erdogan shtypën rebelët, pas thirrjes që bëri presidenti turk në një lidhje Skupe për CNN Turk.
Më shumë se 290 persona u vranë gjatë dhunës, 104 prej tyre mbështetë të grushtit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër civilë e policë.
Avionët e komplotit për grusht shteti mendohet të jenë nisur në bazën ajrore Akinci rreth 50 km në veriperëndim të Ankarasë, me të paktën 15 pilotë të përfshirë nën urdhrat e një komandanti rebel.
Kreu i forcave të armatosura, Hulusi Akar, u mbajt peng në bazë gjatë përpjekjes për grusht shteti, por u shpëtua në fund. Avionët e nisur nga Akinci të pilotuar nga rebelët filluan të lëviznin në lartësi të ulët në Stamboll e Ankara për të shtuar kaosin, duke thyer dritaret e disa banesave vetëm nga zhurma e tyre.
Organizatorët e grushtit të shtetit
Tre zyrtarë të lartë në Ankara thanë se Akin Ozturk, kreu i forcave ajrore deri në vitin 2015 dhe një anëtar i Këshillit të Lartë Ushtarak, ishte një nga organizatorët e komplotit. Ai ishte në mesin e mijëra ushtarëve të kapur në selitë e policisë së Ankarasë. Ozturk do të dilte në pension në muajin gusht të këtij viti.
Truri i dytë i grushtit të shtetit mendohet të jetë Muharrem Kose, një ish-këshilltar ligjor në personelin ushtarak. Media turke e përshkruajnë Kosenin si një ndjekës të Fetullah Gulen, klerik me bazë në SHBA, të cilin Erdogan e ka fajësuar për kryerjen e grushtit të shtetit.
Kose u hoq nga posti i tij në muajin mars për sjellje të pahijshme, por nuk ishte shkarkuar nga Forcat e Armatosura. Vendndodhja e tij ishte ende e panjohur.
“Ka pasur përgatitje serioze për një kohë të gjatë. Dy personat në fjalë duken të jenë mendjet që fshihen pas grushtit të shtetit,” tha zyrtari, duke refuzuar të identifikohet për shkak se hetimi po vazhdon ende.
Erdogan dhe qeveria kanë akuzuar prej kohësh ndjekësit e Gylen për të krijuar një strukturë paralele brenda gjykatave, policisë , forcave të armatosura dhe të mediave me qëllim marrjen e pushtetit, një akuzë që kleriku e ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme.
Jo plotësisht të përgatitur
Erdogan, me rrënjët e tij në politikën islamike, ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të vështirë me ushtrinë, që e shihte veten si mbrojtëse të sekularizmit në Turqi, duke kryer 3 grushte shteti dhe duke detyruar qeverinë e katërt islamike të binte nga pushteti në gjysmën e dytë të shekullit 20.
Gjykimet e grushtit të shteti panë qindra oficerë të burgosur, ndërkohë që Erdogan ishte kryeministër. Akuzat më vonë u diskredituan dhe bindjet u përmbysën, por veprimet dëmtuan moralin dhe ushqyen pakënaqësi.
Megjithatë komplotistët e grushtit të shtetit duket se kanë mbivlerësuar mbështetjen që do të gjenin në radhët ushtarake.
“Ata ishin të pamjaftueshëm për grusht shteti. Nuk ishin të pajisur mirë me objektivat e tyre strategjike. Ka qenë padyshim jo e përgatitur mirë në krahasim me mënyrën se si grushtet e shtetit janë bërë në të kaluarën”, thotë Sinan Ulgen, një ish-diplomat turk.
Në një moment ushtarët u përpoqën të bënin CNN Turk të heshtte, duke detyruar evakuimin e studios dhe kur spikerja Nevsin Mengu filloi të fliste sërish për mediat i përshkruajti ushtarët si të rinj plot frikë në sytë e tyre dhe pa asnjë shenjë përkushtimi e vendosmërie në qëllimin e tyre.
“Ata nuk ishin të përgatitur plotësisht. Dhe u demoralizuan kur kuptuan se ishin nën vëzhgim. Pasi morën vesh se ishin të monitoruara, të gjitha ata filluan të lëviznin më shpejt nga sa ishte planifikuar,” tha një ish-oficer.
Ata gjithashtu nënvlerësuan aftësinë e Erdoganit për të mbledhur turmat dhe një thirrje e vogël e tij bëri që mijëra mbështetës të dilnin rrugëve./Humeyra Pamuk dhe Orhan Coskun, Reuters/