Vërshimet në Tetovë, një vit më vonë dëmet ende të pakomenzuara

Edhe një vit pas vërshimeve në Tetovë, autoritetet komunale dhe pushteti qendror ende nuk ka filluar me sanimin e infrastrukturës së shkatërruar. Banorët që pësuan dëme në objektet dhe të mbjellat e tyre thonë se ende nuk kanë marrë asnjë denarë nga shteti. Qeveria arsyetohet se është bërë gabim në listën e emrave të personave që duhet të dëmshpërblehen. Banorët që ndjehen të harruar nga shteti kërkojnë investime të paktën në infrastrukturën rrugore.
“Ato pak mjete që në fillim na lëshuan dhe më asgjë. As rrugën nuk e rregulluan, na kanë premtuar shumë por ja kanë filluar rrugën prej në gjysmë ta rregullojnë. Rruga të rregullohet njëherë dhe asgjë nuk duam prej tyre”.

“Neve jo, tjetërkujt nuk e di. Çka kemi mund kemi pastru, ja kjo ka qenë e mbushur përplot. Krejt i kemi rregulluar ne vet me punëtor me mund. Komunës do i kisha kërkuar ta pastroj rrugën, e shihni vet si është”.

“Unë për veten time nuk kam marrë asgjë. Si të them me mundim. Kam pasur dëme me të vërtetë shumë po s`kam çka të bëj. Na thonë se do na japin dhe ne mendojmë se do na japin”.
Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, ka kërkuar durim nga banorët duke premtuar sërish se së shpejti do fillojë kopmenzimi i dëmit.

“Përfundimisht edhe për atë pjesën e mbetur Qeveria ka dhënë pëlqimin e vet sepse ajo ishte e rëndësishme dhe ashtu siç është lista dhe besoj që do fillojë dëmshpërblimi shumë shpejtë”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Zvarritja e procedurave për kompenzimin e dëmit është si pasojë e problemeve me listat e banorëve të dëmtuar. Kohë më parë, qeveria lëshoi në buxhetin e komunës së Tetovës 600.000 euro për dëmshpërblimin e banorëve por mjetet nuk u realizuan për shkak se lista e të dëmtuarve nuk ishte e plotë. Nga vërshimet që përfshinë disa vendbanime të Tetovës, më 3 gusht të vitit të kaluar, dëme kanë pësuar 370 amvisëri.

Temat
LajmeRajon

Të afërta