Ahmeti: Mustafa ende s’po pajtohet me humbjen në Prishtinë

Kreu aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shprehur bindjen se Isa Mustafa, të cilin e kishte mposhtur për kryetar të kryeqytetit, ende nuk po mund të pajtohet me humbjen.

“Duke filluar prej kryeministrit dhe disa njerëzve tjerë hala nuk po munden me përballu humbjen në Prishtinë. Mendoj se është mirë edhe për ata edhe për Prishtinën që të ecin gjërat përpara, sepse gjërat kanë ndryshu në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për “038” të KTV-së.

Isa Mustafa kishte udhëhequr Prishtinën për dy mandate, dhe po synonte të tretin radhazi kur u mund nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. Pakkush e kishte besuar se një gjë e tillë mund të ndodhte, derisa Prishtina konsiderohej bastion i LDK-së, kryetar i së cilës ishte vetë Mustafa.

Madje, ky i fundit, tash kryeministër i vendit, kishte thënë se Prishtinën e fiton me duar në xhepa, duke iu referuar punëve që kishte kryer në dy mandate.

Megjithatë, LDK-ja ka numrin më të madh të votave për asamblist. Ahmeti kishte shkuar si i dyti në balotazh me Mustafën, për të fituar më pas garën.

Zgjedhjet e ardhshme lokale janë më 2017.

Temat
LajmeVend

Të afërta