I bie kontejneri i mbeturinave sipër, urgjenca s’e beson, i mbyll telefonin

Vonesa e autoambulancës ka rrezikuar jetën e një punëtori të ndërmarrjes së pastrimit, i cili u plagos pasi një kontejner i ka rënë kokës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, pas urës së vjetër të Bunës në Shkodër. Ndërsa kamioni i tërheqjes së mbeturinave urbane ka qenë duke i marrë ato, gjatë shkarkimit të kazanit, litari mbajtës është këputur dhe ka goditur në kokë punëtorin.

Këtë e pohojnë dëshmitarë okularë por dhe kolegët e të dëmtuarit. Sipas banorëve, ata i kanë telefonuar ambulancës, urgjencës por kanë marrë si përgjigje se po i gënjejnë dhe i kanë mbyllur telefonin. Asnjë mjet nuk ka ardhur për rreth një orë, ndërsa të dëmtuarit i kanë ardhur në ndihmë me mjete rrethanore. Një punonjës policie ka kaluar rastësisht dhe ka parë situatën.

Ka qenë ai që i ka telefonuar urgjencës duke iu prezantuar dhe vetëm atëherë autoambulanca ka ardhur pas rreth 30 minutash nga telefonata e policit. Sipas banorëve, sikur të mos ishte polici, askush nuk do të vinte dhe jeta e Shpëtimit , punëtorit të aksidentuar do të rrezikohej pasi kishte marrë goditje në kokë dhe kishte gjakderdhje. Shërbimi i urgjencës në Shkodër vazhdimisht është ankuar për telefonata të rreme që u bëhen nga qytetarë të ndryshëm. Kjo ka sjellë mosbesim tek punonjësit e këtij shërbimi dhe mosndërhyrje në kohë kur situatat janë të vërteta.

Temat
LajmeRajon

Të afërta