Familjarët e “Grupit të Kumanovës” me letër të hapur Ali Ahmetit dhe institucioneve

Familjarët e Grupit të Kumanovës të shqetësuar për keqtrajtimin që u bëhet bijve të tyre nëpër burgjet e Maqedonisë, pas reagimeve të shumë ta tek avokatët e të burgosurve, si dhe te Avokati i Popullit në Maqedoni, pas të cilave gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë, kanë vendosur tu dërgojnë një letër të hapur kreut të BDI-së Ali Ahmeti, institucioneve ndërkombëtare dhe shtetit të Kosovës, ka bërë të ditur TVShenja, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Si mund të dilni nëpër mitingje e të kërkoni votën e këtij populli kur natën bëni kompromise në dëm të shqiptarëve, bëni pazare të fëlliqura politike për interesa personale e klanore, është kjo pyetja që këshilli familjar i të burgosurve të “Rastit Kumanova”, shkruan mes tjerash në letrën e hapur të familjarëve.

“Është e tmerrshme se si shqiptarët që jetojnë atje, ende besojnë e ju votojnë ju, zoti Ali Ahmeti, bashkë me ministrat e zyrtarët tuaj në institucione vendimmarrëse, por që në fakt puna juaj është vetëm t’i shërbeni pushtetit me çdo çmim, madje edhe duke sakrifikuar njerëzit të cilët kanë dhënë shumë për të drejtat e shqiptarëve atje, duke lënë në mëshirë të fatit bashkëluftëtarët tuaj, që falë sakrificës dhe votës së tyre sot ju jeni në pushtet!!! Çfarë mund të thuhet tjetër për ju, vetëm se jeni të shitur”, thonë nga Këshilli familjar i të burgosurve të “Rastit të Kumanovës”.

Ata e pyesin Ahmetin për numrin e fëmijëve shqiptarë në Maqedoni që rriten pa prindër, apo me baballarët e tyre nëpër burgje, vetëm për shkak të, siç thonë ata, dëshirës që fëmijëve të tyre t’u sigurojnë një të ardhme më të ndritur, ku për shkak të politikave që zhvillohen në Maqedoni, i kanë lënë ata të luftojnë për ekzistencë.

“Athua si ndiheni zoti Ahmeti nëpër ahengje familjare e shoqërore nëpër të cilat shfaqeni çdo ditë i hareshëm, kur bashkëluftëtarët tuaj, si dhe familjet e tyre momentalisht përballen me tragjedi e dramë të vërtetë jetësore, si pasojë e politikës suaj, e cila i shërben një pushteti të kalbur e antishqiptarë?!
Si ndiheni zoti Ahmeti kur përqafoni e uroni fëmijët tuaj në ditët e tyre të rëndësishme jetësore, kur fëmijët e shokëve tuaj ka 1 vit e gjysmë gati, që as zërin nuk ua kanë dëgjuar baballarëve të tyre, e disa as nuk kanë për t’i dëgjuar e parë kurrë”, thuhet gjithashtu në letrën e Këshillit familjar të të burgosurve të “Rastit të Kumanovës”.

Familjarët i kanë bërë apel ambasadës së ShBA në Maqedoni, Zyrës së BE, Avokatit të popullit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa në pajtim me ligjet ndërkombëtare, me qëllim që familjarët e tyre të kenë një trajtim njerëzor, të bazuar në të drejtat e njeriut, pasi në të kundërtën, siç shkruajnë ata në letrën e tyre, situata në Maqedoni mund të përshkallëzohet, duke shtuar se durimit të tyre po i vjen fundi. Ata po ashtu i bënë apel shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmarrë hapat e duhur dhe të kryejë obligimet kushtetuese ndaj qytetarëve të saj.

Temat
LajmeRajon

Të afërta