UNMIK-u shkeli të drejtat e njeriut në Kosovë

Një panel këshillues i Kombeve të Bashkuara i krijuar për analizimin e ankesave kundër Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, tha se misioni ka shkelur të drejtat e njeriut dhe nuk ha hetuar si duhet akuzat serioze për shkelje të ligjit.

Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut i ngritur për të analizuar ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut të kryera ose që i atribuohen Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nga viti 2007 deri në vitin 2016, tha në një raport tepër kritikues të botuar të mërkurën që misioni nuk kishte përmbushur rekomandimet e tij dhe kishte shkelur të drejta njeriu.

Në ankesat kundër UNMIK përfshiheshin akuza për hetime jo efikase në raste rrëmbimi zhdukjesh dhe vrasjesh, trajtimi çnjerëzor dhe abuzim të pronës.

Raporti i përbërë nga 49 faqe thoshte se për shkak se UNMIK nuk ka ndjekur rekomandimet e panelit, “procesi nuk ishte shoqëruar me kompensime”.

“Si i tillë, ata janë viktimizuar dy herë nga UNMIK. Nga shkeljet e para të të drejtave të njeriut të kryera kundër tyre dhe përsëri duke vënë shpresën dhe besimin e tyre në këtë proces,” tha ai.

Raporti pranoi se përpjekjet e panelit për ta bërë UNMIK-un të përmbushte detyrën ishin “një dështim total”.

“UNMIK mbetet po aq i papërgjegjshëm tani për shkeljet e të drejtave të njeriut që ka kryer sa ishte edhe në vitin 2004 kur Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës propozoi ngritjen e një mekanizmi për të mbikëqyrur përmbushjen e standardeve të të drejtave të njeriut nga ana e UNMIK-ut,” thuhej në raport.
Paneli nuk mund të urdhërojë pagesë kompensimi, por kryetari i tij, Marek Nowicki, tha në një raport të mëparshëm se ai shpresonte që akuzat do të trajtoheshin si duhet në të ardhme.

“Mbetet shpresë që të paktën disa nga këto çështje do të gjejnë rrugën për në rendin e ditës të gjykatës speciale që po ngrihet nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës – Institucioni Special Gjyqësor i Kosovës (KSJI) – nën juridiksionin e të cilës përfshihet edhe “gjykimi i krimeve serioze që dyshohen të jenë kryer në vitet 1999-2000 nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë”,” tha Nowicki.

Në prill të këtij viti, i njëjti panel i bëri gjithashtu thirrje Kombeve të Bashkuara të bëjnë përgjegjës UNMIK-un për lejimin e ekspozimit të familjeve rome në fushat e helmuara me plumb në kampe për njerëz të zhvendosur nga lufta në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.

Kampet për njerëzit e zhvendosur brenda vendit u ngritën pranë minierës së Trepçës dhe kompleksit të shkrirjes, që dihet të jetë edhe shkaku i ndotjes me plumb dhe forma të tjera toksike të zonave përreth që prej viteve 1970.

Kampet, që synonin të siguronin strehim të përkohshëm deri në vetëm 90 ditë, qe në gjendje funksionale për disa vjet.

Paneli i bëri thirrje UNMIK-ut të pranojë publikisht dështimin e tij në përmbushjen e standardeve relevante të të drejtave të njeriut në përgjigje të gjendjes së rënduar shëndetësore të shkaktuar nga helmimi me plumb në kampet për personat e zhvendosur brenda vendit, si edhe për kompensimin e viktimave si për dëmin material ashtu edhe për atë moral.

Kreu i UNMIK-ut, Zahir Tanin, nxori një deklaratë duke shprehur “keqardhje për kushtet e pafavorshme shëndetësore që vuajtën ankuesit dhe familjet e tyre në kampet për personat e zhvendosur brenda vendit,” por nuk ofroi kompensim.

Paneli tha se edhe pse UNMIK-u përgatiti një raport në vitin 2000 i cili zbuloi se njerëzit që jetonin në kampet për personat e zhvendosur brenda vendit kishin nivele të larta plumbi në gjak, ai nuk e bëri publik raportin dhe nuk mori masa të mjaftueshme për të adresuar rreziqet e ekspozimit të plumbit në kampe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu paralajmëroi në vitin 2004 për efektet kronike të pakthyeshme të plumbit në trupin e njeriut, duke i bërë thirrke UNMIK-ut të evakuonte menjëherë fëmijët dhe gratë shtatzënë nga kampet, UNMIK nuk ofroi ndonjë dokument që tregonte se po merreshin masa specifike në përgjigje të këtyre zbulimeve dhe rekomandimeve.

Helmimi u dokumentua më tej në vitin 2009 nga një Human Rights Watch, i cili i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të punonin me donatorët ndërkombëtarë për të mbyllur kampet me prani plumbi që ishin zënë nga romët e zhvendosur brenda vendit pa ndonjë vonesë të mëtejshme, risistemimin e banorëve të tyre si edhe trajtim mjekësor për helmimin me plumb.

UNMIK u krijua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në vitin 1999 “për të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës, si edhe për përparimin e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, sipas mandatit të tij./Kallxo.com

Temat
LajmeVend

Të afërta