Kryeministri takon Ministren e re të Drejtësisë, i uron suksese

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot zëvendëskryeministrin e parë, Hajredin Kuçin dhe ministren e re të Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Mustafa i uroi suksese në detyrën e re ministres Hoxha, duke theksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë në fuqizimin e mëtejmë të sektorit të drejtësisë dhe të shtetit ligjor në përgjithësi.

Ai, po ashtu, vlerësoi punën dhe përkushtimin e deritashëm të zëvendëskryeministrit Kuçi, si ministër i Drejtësisë.

“Fuqizimi i sektorit të drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor në përgjithësi janë prioritete kryesore të punës së Qeverisë së Kosovës. Kemi arritur rezultate konkrete inkurajuese në këto drejtime kohët e fundit, por Qeveria e Kosovës në bashkëpunim të afërt me institucionet e tjera kushtetuese që merren me rendin dhe ligjin, është e fokusuar që të arrihet progres edhe më i madh në këtë drejtim”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, shprehen përkushtimin e tyre maksimal për realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës dhe rritjen e mëtejme të rezultateve në fushën e drejtësisë.

Temat
LajmeVend

Të afërta