Ushqimet e pasura me shumë yndyra e me pak fibra, po bëhen gjithmonë e tepër shkaktarë të mbipeshës dhe shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme, ku së fundmi është shtuar numri i meshkujve.
Sipas raportit të Qendrës britanike për hulumtim të tumoreve, karcinoma e zorrës së trashë është nga sëmundjet më të shpeshta e të këqija të kohëve të sotme dhe në 25 vitet e fundit është shënuar rritje e numrit të pacientëve, me këtë lloj tumori agresiv.
Edhe pse është konsideruar që meshkujt dhe femrat kanë rrezik të njëjtë nga sëmundja ekarcinomës së zorrës së trashë, numri i meshkujve me këtë sëmundje në tri dekadat e fundit është rritur me 29 për qind, derisa te femrat është rritur vetëm me tetë për qind.
Fajtorët kryesorë për rritjen e numrit të të sëmurëve janë zakonet e pashëndetshme jetësore, si ushqimi i varfër me fibra, pirja e duhanit dhe alkooli, transmeton Gazeta Express.
Trajtimet për shërimin e tumorit të zorrës së trashë kanë përparuar dhe sot shanset e mbijetesës janë gati dhjetë vjet më shumë. Falë terapisë me ilaçe inteligjente dhe kimioterapisë mundësitë e mbijetesës janë dyfish më të mëdha sesa para 20 vjetësh, veçanërisht nëse karcinoma zbulohet në fazat e para.