Kryetari i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti rreth ndarjes së tokës për Ambasadën e Shqipërisë.
Ky i fundit ka thënë se tokat e komunës nuk i menaxhon Isa Mustafa e as nuk ka toka të LDK-së, as në kadastër e as në mendje.
Këto komente të kreut të Prishtinës erdhën si kundërpërgjigje ndaj kryeministrit Isa Mustafa i cili kishte shprehur gatishmërinë për t`ia dhënë gjysmën e tokës së LDK-së, ambasadës së Shqipërisë.
“Z kryetar i Komunës, nuk është koha më për të vajtuar. Këtë e keni bërë tash e tri vjet, që nga koha e fushatës zgjedhore të vitit 2013 e deri më sot, korrik 2016.
Tani, nuk kisha dashur që për ju të bëhet çështje e madhe ajo e ambasadës së Republikës së Shqipërisë, kur për caktimin e lokacionit kanë filluar tanimë proceduat ligjore, sipas kërkesës drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe besoj dakordimit me të. Procedimi ligjor për lokacionin duhet t’ju gëzojë juve dhe të gjithëve kah ju.
Nuk kisha dashur që të harroni të jeni aq i ndjeshëm në çaste dhimbjeje dhe po aq me papërgjegjësi ndaj zbatimit të ligjit. Z. kryetar, të ka mbetur më pak se një vit të jesh në udhëheqje, por nuk të ka mbetur asgjë që të bën të ndihesh mirë dhe me ndërgjegje politike lidhur me zhvillimin e Prishtinës, për këto tri vjet që kaluan”, thuhet në fund të reagimit. /Lajmi.net/