Eksporti i mallrave nga Kosova për në BE, pa ngarkesa doganore

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në, favorizon shumë investimet e huaja.

Sipas saj, ndryshimet e fundit në politikat fiskale dhe stimujt tjerë iu mundësojnë investitorëve që makineritë prodhuese por edhe eksporti i mallrave nga Kosova për në BE të bëhet pa ndonjë ngarkesë doganore.

Ajo këto komente i bëri gjatë takimit që pati sot me Gerd Herman Horst, udhëheqës i kompanisë së tekstilit “Bodet & Horst GmbH nga Gjermania i cili shfaqi interesim për të investuar në Kosovë.

Ministrja Bajrami e njoftoi investitorin gjerman me ambientin e të bërit biznes në Kosovë si dhe me shërbimet profesionale për investitorët që ofrohen nga institucionet e vendit tonë qoftë para, gjatë apo pas procesit të investimeve.

Horst gjatë prezantimit të kompanisë së tij, u shpreh i gatshëm të investoj në Kosovë, në fushën e tekstilit. Ai ndër të tjera kërkoi nga institucionet e vendit që të propozojnë një lokacion të përshtatshëm për këtë lloj të industrisë, e cila përfshinë një hapsirë prej 10.000 m2 si dhe informata shtesë në lidhje me resurset humane që ofron Kosova në këtë drejtim.

Ministrja Bajrami njoftoi edhe me mundësitë që ofrojnë zonat ekonomike dhe parqet industriale nëpër komunat e Kosovës, si dhe u zotua se Qeveria do të punojë me përkushtim që ta bëjë sa më të lehtë procesin e investimeve të huaja në vendin tonë.

Temat
LajmeVend

Të afërta