Shtohet presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë Ahmeti-Gruevski

Bashkësia ndërkombëtare po humb durimin sa i përket krizës politike në Maqedoni, e cila duhet të zgjidhet sa më parë që të jetë mundur për të evituar pasojat e mundshme për vendin, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar përplasjet mes partive të cilat në dy ditët e fundit nuk arritën asnjë rezultat në bisedimet për krizën politike.

Takimet e tyre për listën zgjedhore dhe reformat në media u mbyllën pa epilog, pavarësisht thirrjeve të të dërguarit të Qeverisë gjermane, Johannes Haindl, për të paktën mbylljen e disa pikave të marrëveshjes së Përzhinës.

I pyetur se a mund të priten masa ndaj Maqedonisë për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të marrëveshjes së arritur me ndihmën e ndërkombëtarëve, Denko Maleski, ish-ministër i Punëve të Jashtme, thotë se asgjë nuk duhet përjashtuar, tani pas vendimit të Brukselit për shkurtimin e fondeve IPA.

“Për fat të keq, kemi ardhur edhe te një fazë e tillë. Kjo që po ndodh me shkurtimin e fondeve dedikuar Maqedonisë, flet se kemi ardhur në fazën e sanksioneve të reja”.

“Ndërkombëtarët janë shumë të kujdesshëm ndaj nesh duke marrë parasysh brishtësinë e shtetit në rast të ndërprerjes së ndihmave financiare dhe reagimit të popullatës, problemeve të brendshme ndëretnike, problemeve me fqinjët, e kështu me radhë. Por, kjo është logjika e presionit që politikanët të kthehen në rrugën e euro-integrimit dhe të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e vendit. Pra, sanksionet nuk përjashtohen”, vlerëson Maleski.

Alajdin Demiri, ish-diplomat dhe njohës i çështjeve politike, nuk beson se mund të ketë zgjidhje të shpejtë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita dhe presionet nga jashtë duhet të vazhdojnë pandërprerë, të paktën për të arritur organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, që i sheh si shprehjen e fundit për ndryshime në Maqedoni.

“Maqedoninë nuk mundet ta nxjerrin nga kriza aktorët, të cilët e krijojnë dhe çdo ditë e thellojnë krizën. Situata është serioze pasi dalja nga kriza do të thotë zhbërjen e njërës strukturë dhe këtu qëndron çelësi se pse Maqedonia nuk mund të dalë nga kriza”, konsideron Demiri, i bindur se ndryshimin mund ta bëjnë vetëm qytetarët, por në zgjedhje të lira dhe të pranueshme nga të gjitha partitë politike.

Kriza politike në Maqedoni është thelluar në shkurt të vitit të 2015, kur opozita nisi me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve, të cilët po hetohen nga Prokuroria speciale për vepra të ndryshme kriminale.

Në korrik të po të njëjtit vit, partitë arritën një marrëveshje. Megjithatë, edhe një vit nga nënshkrimi, nuk janë plotësuar pikat kryesore të saj, që para së gjithash kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për zgjedhje të parakohshme parlamentare. (INA)

Temat
LajmeRajon

Të afërta