Nuland e ashpër dhe e prerë ndaj liderëve kosovarë: Kryeni punët deri në vjeshtë

Në kuadër të një vizite zyrtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka qëndruar të dielën në Prishtinë, ku është takuar, veç e veç, me drejtuesit e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës.

Në takime të ndara, Nuland është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq.

Në komunikatat për medie, të lëshuara nga institucionet e larta të vendit, thuhet se ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, ua ka përcjellë udhëheqësve institucionalë të Kosovës përshëndetjet e presidentit amerikan, Barak Obama, nga Samiti i Varshavës, si dhe të zëvendëspresidentit Joe Biden.

Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes nga takimet e Nulandit me udhëheqësit e Kosovës sot në Prishtinë.

Lajmi.net mëson se qëndrimin i zonjës Nuland ndaj liderëve ka qenë goxha i ashpër, e në disa raste edhe qortues.

“Zonja Nuland ka kërkuar luftim më të madh të korrupsionit dhe krimit të organizuar, derisa ka thënë se Kosova duhet të kujdesët më shumë për vetën, por edhe për marrëdhëniet me fqinjët”, ka thënë një burim për lajmi.net.

Sipas tij, SHBA-ja tash hyn në vit zgjedhor, pasi që në vjeshtë do të jetë e përqendruar në zgjedhjet presidenciale dhe për një kohë nuk mund t’i kushtoj shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor.

“Ajo ka përmendur vjeshtën që Kosova duhet t’i kryej obligimet që i ka, duke aluduar në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që të arrihet liberalizimin i vizave për kosovarët”, merr vesh lajmi.net të ketë thënë Nuland.

Gjatë kësaj vizite, Nuland nuk i takoj liderët e opozitës, siç kishte bërë në vizitat e mëhershme. Të kujtojmë se në njërën nga vizitat e Nulandit në Kosovë, ajo pati vizituar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj në selinë e partisë.

Temat
LajmeVend

Të afërta