Shtetasja e Maqedonisë Antigona Karimanoska pranoi rrejshëm se kreu vrasje dhe tentim-vrasje, vepra për të cilat akuzohet Bekim Saraqi.
“Unë e pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem, këtë pranim e kam bërë në koordinim me avokatin tim, pranimin e bëj me vullnet të plotë dhe jam e penduar për veprën e kryer dhe i premtoj gjykatës që kurrë më nuk do të kryej vepër penale,” tha Karimanoska në gjykatë.
Për këtë pranim fajësie u pajtua edhe prokurorja Javorka Perlincevic, raporton kallxo.com.
“Pajtohem për këtë pranim fajësie dhe i propozoj gjykatës që të njëjtën ta dënojë sipas ligjit, ndërsa si rrethanë lehtësuese ta marrë këtë pranim fajësie të bërë sot,” tha prokurorja.
Alban Ajvazi, avokati i të akuzuarës Karimanoska i bëri thirrje gjykatës që gjatë shqiptimit të dënimit të marrë për bazë si rrethana lehtësuese pranimin e fajësisë, gjendjen e vështirë ekonomike dhe pendimin e thellë të klientes së tij.
Për lajmërim apo kallëzim të rremë Karimanoska sipas Kodit Penal të Kosovës mund të dënohet me gjobë ose me burg deri në tre muaj, kjo e akuzuar gjendet në paraburgim nga data 12 prill 2016.
Antigona Karimanoska akuzohet nga prokuroria se më 12 prill 2016 kishte shkuar në Stacionin Policor në Prishtinë për të deklaruar se vetë i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet Bekim Saraqi.
Prokurorja e pyeti Karimanoskën se kush e ka shtyrë t’i pranojë veprat penale të të akuzuarit tjetër të këtij procesi.
E akuzuara mohoi se është detyruar t’i pranojë ato vepra, por tha se këtë veprim e ka bërë ngase ka dashur t’i ndihmojë Bekim Saraqit “për shkak se e ka dashur dhe akoma e do”.
Bekim Saraqi akuzohet për vrasje të rëndë dhe vrasje në tentativë.
Sipas prokurorisë, Bekim Saraqi më 8 prill të këtij viti në Prishtinë pas një zënke verbale dhe rrahje me të dëmtuarit Ismet Bahtiri dhe Daut Qadraki, ka marrë revolen dhe ka shtënë në Daut Qadrakin të cilin e ka plagosur në gju.
Aktakuza e ngarkon Saraqin se pasi qëlloi Qadrakin shtiu edhe në Ismet Bahtirin, pavarësisht se Bahtiri e kishte lutur që të mos qëllonte. Bahtiri vdiq në QKUK dy ditë pasi u qëllua.
Në gjykatë Bekim Saraqi nuk e pranoi fajësinë për veprat me të cilat ngarkohet, prandaj procedura ndaj tij u nda nga ajo e Karimanoskës.
Shpallja e vendimit ndaj Karimanoskës do të bëhet më 11 korrik, ndërsa seanca e radhës në gjykimin e Saraqit u caktua më 5 shtator.
Seanca ndaj këtyre dy të akuzuarve nisi me dy orë vonesë, pasi nuk erdhi me kohë Veton Rrecaj, avokati i Bekim Saraqit.