Mustafa akuzon deputetët e LDK-së

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është shprehur i zhgënjyer nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët po kërkojnë debat dhe ballafaqim shkencor për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Lideri i LDK-së ka ironizuar përmes një postimi në Facebook me deputetët e partisë së tij, duke theksuar se ata po manipulohen nga partitë tjera dhe sipas tij ata po bien pre e kauzave të pa qëndrueshme.

Zhgënjimin e tij ndaj shumicë së deputetëve të LDK-së që Mustafa konsideron se janë manipuluar, ai e ka ilustruar me një përshkrim të kohës kur ka qenë kryetar i Prishtinës.

“Duke lexuar një kërkesë për trajtimin shkencor e profesional të demarkacionit, që e konsideroj legjitime, mu kujtua fundi i vitit 2008 kur fillova ta drejtoj Prishtinën, si kryetar i saj. PDK gjatë zgjedhjeve kishte akuzuar qeverisjen e LDK-së se e kishte shtruar Sheshin Nënë Tereza me pllaka radioaktive. Unë kontaktova institute në Gjermani dhe Slloveni për të bërë ekzaminimin e pllakave, pastaj edhe në Kanada. Deri sa po përgatiteshim për ti dërguar pllakat, një drejtor nga radhët e PDK-së, me të cilën ishim në koalicion të qeverisjes komunale, erdhi në zyre dhe më tha: profesor çfarë po bën, mos të mundohemi dhe të shpenzojmë kot sepse ne e kemi ndërtuar këtë kauzë për ta rrëzuar LDK-në”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kreu i ekzekutivit ka shkruar më tutje se njerëzit u besojnë lajmeve të këqija më shumë sesa të mirave.

“Nga ekzaminimi rezultoi se pllakat nuk ishin radioaktive, por një radioaktivitet i llojit të vet iu bë opinionit”, ka shkruar Mustafa.

Temat
LajmeVend

Të afërta