Ilir Deda e Mimoza Kusari nuk flasin më për partinë e re

Deputeti Ilir Deda dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila kishin bërë shumë bujë kur braktisën partitë pjesë e të cilave ishin, dhe paralajmëruan formimin e një partie të re në Kosovë.

Mirëpo, përkundër këtij paralajmërimi ende nuk ka ndodhur formimi i kësaj partie.

Ishte njëri prej bashkëthemeluesve të kësaj partie, Ilir Deda, ai i cili kishte paralajmëruar javën e fundit të qershorit, si kohë kur Kosova do ta ketë edhe një subjekt të ri politik.

Megjithatë, kur kanë kaluar dy javë nga ai “afat”, ende nuk ka ndodhur formimi i saj. I kontaktuar nga Gazeta Blic, Ilir Deda nuk ka preferuar që të flas shumë për këtë çështje.

Madje, ai e ka mohuar të ketë dhënë afate se kur do të ndodh edhe zyrtarisht formimi i kësaj partie.

“Nuk kam thënë një gjë të tillë (formimi i partisë në qershor v.j.). Ju lutem shikojini intervistat e mia të mëhershme nuk kam cekur muaj ose datë”, tha Deda.

I pyetur nga Gazeta Blic se për kur pra është e paraparë të ndodh formimi i partisë, Deda nuk tregoi asgjë në lidhje me këtë pasi që ishte i “zënë duke vozitur”.

“Edhe një herë ta them, të lutem shikojini intervistat e mia”, tha ai.

Në një intervistë që Deda e kishte dhënë në emisionin “Republika” në muajin maj, e kishte konfirmuar se pikërisht “në javën e fundit të muajit qershor do të bëhen publik, emri, anëtarët, selia dhe vizioni i partisë së re politike në vend”

Në lidhje me këtë Gazeta Blic ka provuar të kontaktojë me Kryetaren e Gjakoves, Mimoza Kusari-Lila, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Temat
LajmeVend

Të afërta