Mbetet mister vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së, Bedri Curri

“Hetimet janë duke vazhduar”. Këtë përgjigje po e marrin tash e sa kohë familjarët e Bedri Currit nga fshati Korreticë e Epërme e Drenasit, sa herë që pyesin në Prokurori se çfarë vërtet ndodhi me të familjarin e tyre.

Vëllai i ish-ushtarit të UÇK-së, Bujar Curri, i cili punon inspektor në komunën e Lipjanit, ka thënë përmes telefonit se ende nuk kanë ndonjë informacion të saktë nga organet e rendit, raporton KTV.

Ai ka thënë se shpreson që sa më shpejt të del në shesh e vërteta për vrasjen e të vëllait

E përgjigjen e njëjtë nga Prokuroria sikurse familja Curri, e ka marrë edhe KTV-ja.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se ende nuk kanë ndonjë të dyshuar lidhur me vrasjen e Bedri Currit, edhe pse janë intervistuar shumë persona lidhur me këtë rast.

Bedri Curri ishte gjetur i vrarë pasditen e 21 prillit të këtij viti në mal, afër fshatit Korreticë e Epërme të Drenasit.

Pas vdekjes së tij, ishte raportuar se ai do të ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.Ndërkaq, që nga viti 2000 shumicën e kohës ai jetonte në Gjermani.

I ndjeri Bedri Curri kishte më shumë se një vit që ishte kthyer në Kosovë dhe po tentonte t’i rregullonte dokumentet për t’u pajisur me statusin e invalidit të luftës së UÇK-së.

Temat
LajmeVend

Të afërta