Auditori gjen shkelje në Komunën e Prishtinë gjatë pranimit të Pallatit të Drejtësisë (Dokument)

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ka gjetur një shkelje të rëndë në Komunën e Prishtinës. Përveç gjetjeve tjera, kjo duket të jetë më rrezikshmëri të lartë.

Sipas Auditorit, drejtori i Urbanizmit kishte themeluar një komision për pranim teknik të objekteve të Pallatit të Drejtësisë dhe kishte nënshkruar kontrata me anëtarët e këtij komisioni prej të cilëve 10 ishin punonjës të komunës ndërsa 5 ishin të jashtëm, raporton lajmi.net.

“Kontraktimi dhe kompensimi i anëtarëve të këtij komisioni nuk ishte në pajtim me ligjin në fuqi. Shpenzimet për këtë komision i kishin kushtuar komunës 106,346€ ku nga kjo shumë 2,377€ ishin shpenzime të përmbarimit. Ky shpenzim ishte bërë sipas Ligjit të vjetër për Ndërtim Nr. 2004/37 ndërsa me Ligjin e ri Nr. 04/L-110, pranimi teknik duhet të bëhet nga inspektorati i komunës. Kjo ka ndodhur për shkak të vonesave në harmonizimin e akteve nënligjore sipas kërkesave të ligjit të ri që ka rezultuar me veprime që nuk kanë pajtueshmëri ligjore”, thekson Auditori.

Për më tepër, sipas Auditorit, pagesat për 10 punonjësit e komunës (anëtarë të këtij komisioni) janë në kundërshtim me nenin 80 LMFPP, ku ndalohet kompensimi shtesë për angazhim të stafit në komisione.

“Mungesa e harmonizimit të akteve nënligjore sipas kërkesave të ligjit të ri ka rezultuar me kontraktime pa bazë ligjore dhe me shpenzime të parregullta për anëtarët e komisionit të pranimit si dhe shpenzime shtesë për procedurat e përmbarimit”, thuhet në raport.

Auditori kërkon nga kryetari, Shpend Ahmeti që ta analizojë rastin e kontratave të nënshkruara në mënyrë të parregullt me stafin e komunës, dhe të merr masat e duhura që rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen. /Lajmi.net/

Shpendi-Dokument

Temat
LajmeVend

Të afërta