A po rifillon “beteja” ndërmjet Isa Mustafës dhe vëllezërve Haradinaj?!

Kryeministri Isa Mustafa sot sërish është përplasur me Haradinajt, kësaj here jo më kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, por me vëllaun e tij, Dautin, deputet.

Përplasja e sotme ka ardhur pas letrës publike të Daut Haradinajt drejtuar Mustafës dhe presidentit Hashim Thaçi, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.

Haradinaj kërkoi që mos të ratifikohet ky demarkacion, duke thënë se të dy krerët e shtetit po bëjnë tradhti ndaj vendit, transmeton lajmi.net.

E i menjëhershëm ka qenë reagimi i Mustafës, i cili ka thënë që Haradinaj nuk duhet të kërcënojë me kanun, por të ofroj argumente nëse ka për pronat që mund t’i janë dhënë Malit të Zi me marrëveshjen për demarkacion.

Mirëpo, edhe më herët Isa Mustafa ka qenë i ashpër në përgjigje ndaj Haradinajve. Mustafa, përmes profilit të tij të mëhershëm në Facebook i ishte kundërpërgjigjur një deklarate të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën’… ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, ka shkruar Mustafa.

Por, nuk ishte vetëm kjo. Mustafa e Hardinaj kanë shkëmbyer porosi përmes profileve të tyre përkatëse në Facebook edhe për tjera çështje, sidomos gjatë kohës së bllokut opozitar.

“Nëse arrestohen deputetët – populli do ta arrestojë Isa Mustafën”, kishte thënë Haradinaj.

“Nuk e di se çka ka pasur ndërmend Isa Mustafa, kur e ka shkruar statusin e tij në Facebook, për vrasjen e aktivistëve të LDK-së dhe kërcënimet ndaj presidentit Rugova, por nëse edhe me pahir i ka shkuar mendja tek unë, (siç e paskan interpretuar disa media) kjo tregon burracakërinë e tij. Ai po provon të gjejë fije kashte për ta shpëtuar lëkurën e vet. Ia kujtoj Isa Mustafës se kur unë kam pasur marrëveshje burrash me presidentin Rugova, ai ka qenë si hijenë kundër tij, sikundër që është edhe sot, thellësisht kundër frymës së Ibrahim Rugovës, i cili as në atë dynja nuk do t’i kishte falur Bjeshkët e Rugovës! Lere Facebookun e kthjellu kryeministër, sepse edhe aty e mbyte shqipen!”, kishte shkruar Haradinaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta