Fajon: Ju lutem ratifikojeni demarkacionin para pushimit, nëse dëshironi liberalizim

Votimi me 12 vota për futjen e rekomandimit për udhëtime pa viza për qytetarët e Kosovës është shtyrë deri në 5 shtator.

Kështu ka deklaruar Tanja Fajon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Fajon tha se ka marrë vendim për të shtyrë votimin për shkak se Kosova ka bërë pak përparim në plotësimin e kriterit të fundit, që është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe malit të Zi.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra e saj, Fajon ka thënë se ajo beson fuqishëm se ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit, nga ana e Kuvendit të Kosovës e më pas votimi nga Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave do të ndodhë deri ën fund të këtij viti, raporton lajmi.net.

Raportuesja Tanja Fajon ka deklaruar para Komitetit për të Drejtat Civile, Drejtësisë dhe çështjeve të Brendshme të Parlamentit Evropian se ka pritur reagim më të shpejtë nga Kosova, 10 muaj pasi ministrat e dy qeverive të Kosovës dhe Malit të Zi nënshkruan marrëveshjen për përcaktimin e kufirit, raporton lajmi.net.

“Sinqerisht shpresoj se Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejtë të jetë e mundur para pushimeve verore, veprim që do të më lejonte mua të procedoja…dhe të siguroja mbështetje…për rekomandimin tim për heqje të vizave”, ka deklaruar Fajon.

Bazuar në deklaratën e sotme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pritet që javën tjetër deputetët të kenë përpara ratifikimin e kësaj marrëveshjeje për ratifikim, ndonëse zyrtarisht ende nuk është caktuar data. /lajmi.net

Temat
LajmeVend

Të afërta