Bota më e rrezikshme sot se disa vite më parë, thotë shefi i NATO’s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ka arritur në “një moment përcaktues të sigurisë sonë” dhe ka shtuar se ajo do të ballafaqohet direkt me sfidat aktuale në samitin e Varshavës. Stoltenberg: Bota më e rrezikshme se para pak vitesh.

Këto komente ai i bëri sot në Varshavë në konferencën e përbashkët për gazetarë, me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, në vigjile të samitit të NATO-s, që mbahet nesër dhe pasnesër, ndërsa në fokus të tij do të jenë aksionet e Rusisë në pjesën lindore të Evropës.

“Bota është më e rrezikshme se sa para pak vitesh”, tha Stoltenberg dhe ka shtuar se “NATO-ja po përgjigjet me shpejtësi dhe vendosmëri”, transmeton REL.

“Nesër dhe të shtunën ne do të ndërmarrim hapa të ri madhorë për modernizimin e mëtejshëm të mbrojtjes sonë kolektive dhe të zmbrapjes dhe për ta projektuar stabilitetin jashtë kufijve tanë”, tha Stoltenberg.

Në një intervistë për gazetën Kommersant, ambasadori i Rusisë në NATO, Aleksandar Grushko, e ka akuzuar aleancën për “agjendë konfrontuese” dhe ka tërhequr vërejtjen se Rusia do të ndërmerr kundërmasa.

Raportet ndërmjet NATO-s dhe Rusisë kanë arritur në pikën më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014, dhe për rolin e saj në konfliktin ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës.

Temat
BotëLajme

Të afërta