Veteranët kanë pensione të sigurta vetëm deri në tetor

Në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa është shqyrtuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për financimin e projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.

Kryetari i komisionit, Naser Osmani tha se është debatuar mjaft për çështjen e kredisë për QKUK, por duhet përkrahur ky projektligj, sepse sipas tij qytetarët e Kosovës kanë më së shumti nevojë për shërbime kardiake, dhe për këtë kredia prej 2.6 milionë euro është e domosdoshme.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në këtë komision duke shpalosur projektligjin në fjalë theksoi se kushtet e kredisë janë mjaft të favorshme, ku sipas tij norma e interesit është 0 për qind me kohëzgjatje prej 15 vjet e gjysmë.

Komisioni ka miratuar pa diskutime edhe projektligjin për ratifikimin e kredisë prej 2.5 milionë euro për efiçiencë të energjisë.

Po ashtu u diskutua edhe projektligji për rishikimin e buxhetit 2016. Krasniqi gjatë raportimit tha se me FMN kanë arritë pajtueshmëri për të gjitha shpenzimet, përveç pensioneve për veteranët jo.

Sipas Krasniqit problemi me numrin e madh të veteranëve po vazhdon, dhe kanë bërë zgjidhje për këtë kategori vetëm deri në tetor të këtij viti me 7 milionë euro shtesë.

Ai pas tetorit deri në fund të 2016 thotë se duhet të bëhet një zgjidhje. Por si problem me këtë numër të madh Krasniqi e sheh me buxhetin 2017.

Po ashtu Komisioni ka shqyrtuar edhe raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2015, ku tha se fitimi vjetor ishte 33 milionë euro./kp

Temat
LajmeVend

Të afërta